Në Policinë e Kosovës, janë të punësuar vetëm tre psikologë të cilët kujdesen për shëndetin mendor të policëve. Ky numër po shihet si shumë i vogël nga ata që e njohin nga afër punën e policëve. Ndërsa nga Policia e Kosovës, thonë se deri me tani nuk ka të dhëna që një pjesëtar i PK-së ka dhënë dorëheqje për shkak të shëndetit mendor.
Janë të parët që thirren në vendngjarje.
E pamjet me të cilat përballen policët në raste të ndryshme, nuk janë të lehta.
Por, për trajtimin psikologjik të policëve pas intervenimeve, janë punësuar vetëm tre psikologë.
Këtë e bëri të ditur Policia e Kosovës në një përgjigje për tëvë1.
“Në Policinë e Kosovës sipas strukturës organizative, aktualisht janë të punësuar 3 Psikolog Klinik të cilët kujdesen në fushën e shëndetit mendor për pjesëtarët e Policisë në tërë territorin e Kosovës. Deri më tani nuk ka të dhëna që një pjesëtar i PK-së ka dhënë dorëheqje për shkak të shëndetit mendor”, thuhet nga Policia e Kosovës.
E ky numër i psikologëve të angazhuar në Policinë e Kosovës, sipas kolonelit nën pension, Refki Morina, është i vogël.
Sipas tij, psikologët kanë një rol jetik në këtë organ të sigurisë.
“Duke e marrë parasysh numrin e madh të policisë tani, gati 10 mijë pjesëtarë të Policisë së Kosovës, unë mendoj se angazhimi i tre psikologëve është shumë numër mjaftë i vogël, duhet të shtohet ky numër pasi policia vazhdimisht ka aksione të ndryshme të cilat kanë stres, ankth, dhe pas aksioneve të tilla është i nevojshëm aspekti psikologjik. Gjithashtu kemi të bëjmë me raste të ndryshme të pengjeve, ku psikologët ofrojnë ndihmë personelit policor, bashkëbisedimet me pengjet, etj”, thotë Morina.
Por, sa është i rëndësishëm angazhimi i psikologëve në radhët e policisë?
“Angazhimi i psikologëve në Policinë e Kosovës është jetik për policinë, për arsye se ka të bëj me ruajtjen e integritetit dhe profesionalizmit të institucionit. Gjithashtu perspektivën individuale dhe kolektive të stafit të saj. Ndërtimin e një mjedisi të shëndoshë përbrenda policisë në raport me qytetarët dhe ngritjen e besimit të publikut ndaj qytetarëve”, shprehet kolonelit nën pension, Refki Morina
Ndryshe, sipas Policisë së Kosovës, secilit pjesëtar i ofrohet përkrahje dhe mbështetje psikologjike në rast të incidenteve kritike apo edhe kur ata angazhohen në detyra ku niveli i stresit dhe implikimi emocional mund të ndikoj në gjendjen e përgjithshme psikologjike të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.