Për herë të parë erdhën në Kosovë.
E në Prekaz, veteranët nga Kroacia po nderojnë figurat historike të Jasharëve.
Ata zgjodhën pikërisht një nga ditët e Epopesë së UÇK-së, që të njihen me historinë e Kosovës.
E me këtë rast, edhe të nënshkruajnë një marrëveshje bashkëpunimi me veteranët kosovarë.
“Jemi këtu për Ditën e Epopesë, luftën e familjes Jashari për çlirimin e Kosovës. Çka kam pa në Kosovë nuk kam mujt me pa kërkund edhe s’kam mujt me ditë prej kërkujt se askush nuk flet për gjërat që kanë ndodhë këtu. Jam shumë i kënaqur që kemi nënshkru marrëveshjen me veteranët e Mitrovicës”, tha Kryetari i Shoqatës së veteranëve “Brigada 126” në Kroaci.
Kjo marrëveshje mes veteranëve të Kroacisë e Kosovës vjen nga fondet e Bashkimit Europian.
“Bashkë me veteranët shqiptarë të Kroacisë që kanë luftu atje dhe me veteranët kroat kemi bërë një marrëveshje ose memorandum bashkëpunimi, komunës së Siekut dhe të Mitrovicës. Pikërisht këta e kanë zgjedhë këtë datë të festave të marsit me ardhë me u prezantu edhe me nënshkru atë memorandum bashkëpunimi”, Rafet Ibishi, përfaqësues i veteranëve të luftës në Mitrovicë
Delegacioni i veteranëve nga Kosova pritet që në të ardhmen përmes këtij bashkëpunimi të vizitojë dhe të njihet me punën e veteranëve të Kroacisë.