Stephen Richards nga Liverpooli para 25 vitesh bashkë me mijëra ushtarë britanikë kishin zbarkuar në Kosovë për ta parandaluar katastrofën humanitare.
E pas një çerek shekulli ai u rikthye në vendin që e kishte gjetur në vuajtje të llahtarshme.
Richards tregon se po përjeton shumë emocione shkaku i kujtimeve të dhimbshme që ka për Kosovën.
“Kjo është hera e parë që po kthehem pas 25 vitesh në Kosovë. E kam menduar të vija këtu gjatë vitit të kaluar por kisha hezitime. Të jem i sinqertë me ju me duket krejtësisht e pabesueshme se si paska ndryshuar vendi. Nuk mund ta përshkruaj me fjalë se si po ndihem në këto momente, kam shumë kujtime nga ky vend”, tregoi veterani i ushtrisë britanike.
Richards rrëfen për momentin më të rëndë që ka përjetuar gjatë kohës sa ka qëndruar në Prishtinë.
Ai ishte i përfshirë në zbulimin e një qendre torture në zemër të Prishtinës.
“Kur erdha nga Kaçaniku në Prishtinë, detyra jonë ishte të patrullonim rrugëve dhe ta vëzhgonim situatën. Kam parë shumë mizori gjatë atyre ditëve në Prishtinë. Unë isha i përfshirë në gjetjen e një dhome torture në qendër të qytetit që kishte shërbyer si seli për policinë serbe. Kemi parë gjëra të tmerrshme brenda, njerëzit ishin torturuar aty në forma të ndryshme. Kur i zbuluam ato dhoma të torturave, menjëherë i kemi informuar të tjerët”, tha ai.
Stephen Richards, tani 50 vjeçar, ka një dëshirë që kërkon t’i përmbushet.
“Dua shumë që t’i takoj atë fëmijë që i shpëtuam gjatë luftës, tani besoj se janë rritur shumë. Dua t’i shoh e të flas me ta për kujtimet e përbashkëta, kam shumë emocione. Kurrë nuk e kisha menduar që do të isha në këtë situatë kështu. Jam shumë krenar qe kemi arritur të kontribuojmë në çlirimin e Kosovës dhe ti shpëtojmë mijëra njerëz”.
Trupat britanike hynë për herë të parë në Kosovë me trupat e tjera të NATO-s më 12 qershor 1999 nën komandën e ish-gjeneralit, Sir Mike Jackson.