Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lifestyle

Vetmia e përkohshme mund ta dëmtojë shëndetin fizik

Ndoshta nuk e konsideroni veten si person të vetmuar, por ndonjëherë i keni ato ditë kur vetmia ju prekë më shumë.

Sipas një studimi të ri, nëse je një nga këta persona, edhe mungesa e lidhjes me të tjerët mund të ndikojë në shëndetin tuaj fizik.

“Shumë studime janë të fokusuara në vetminë që është tipar binar – ose je i vetmuar ose jo. Por duke u bazuar në jetët tona,  e dimë se kjo nuk është çështja. Disa ditë janë më të këqija se të tjerat – madje vetëm disa orë të saj”, ka shpjeguar Dakota Witzel, autore kryesore e studimit. “Nëse mund t’i kuptojmë varietetet e vetmisë ditore, mund të fillojmë të kuptojmë se si kjo na ndikon në shëndetin ditor dhe atë afatgjatë”, raporton Newsmax.

Siç ka theksuar grupi i Witzelit, vetmia afatgjate njihet si faktor i rrezikimit të shëndetit – aq shumë saqë në vitin 2023 kirurgu i përgjithshëm i SHBA-së Vivek Murthy, e ka cilësuar vetminë si krizë të shëndetit publik. Ai ka vënë në dukje shkallën e rritur të depresionit dhe problemeve të tjera mentale të lidhura me vetminë, si dhe 29% rrezik më të lartë nga sëmundjet e zemrës, 32% rrezik nga sulmi në tru dhe 50% rrezik të zhvillimit të demencës nga të moshuarit.

Në studim, grupi i Witzelit ka shikuar të dhënat nga burrat amerikanë të moshës së mesme nga 1538 pjesëmarrës në Studimin kombëtar të përvojave ditore (NSDE). Kjo përpjekje drejtohet nga autori i “STUDY” David Almeida, profesor i zhvillimeve shoqërore dhe studimeve të familjes në Universitetin e Pennsylvanias.

NSDE-ja ka zhvilluar intervista telefonike me pjesëmarrësit, duke i analizuar ngritjet dhe uljet emocionale të tyre, çdo ditë gjatë një periudhe tetë ditore. Ekipi e ka gjurmuar gjithashtu çdo problem shëndetësor fizik që mund të kenë pjesëmarrësit.

Rezultati – Grupi i Witzelit ka gjetur se, kur personi ndihet më pak i vetmuar në çfarëdo dite, ka më pak shanse të ketë simptoma fizike ditore si marramendje ose dhembje koke.

E nëse janë shfaqur simptoma të tilla, në ditët “me pak vetmi”, ato ishin më të lehta sesa në ditët kur personi është ndjerë më i vetmuar.

Studimi është publikuar së fundmi në revistën “Health Psychology”.

“Këto gjetje sugjerojnë se dinamika e përditshme e vetmisë mund të jetë e rëndësishme për t’i kuptuar dhe adresuar efektet e vetmisë në shëndet”, ka thënë Almeida. “Rritja e përjetimi i ndjenjave shoqërore mund të rezultojë në më pak simptoma shëndetësore për atë ditë. Një fokus i tillë ofron një mikro-ndërhyrje të menaxhueshme dhe shpresëdhënëse për individët që jetojnë në vetmi”.