Emisioni Vetting
Por si i toleroi Ceno Klosi kompaninë e inceneratorëve?
Në gusht 2023, “kapitali.al” do të publikonte lajmin mbi skandalin e Tatimeve për borxhet e akumuluara të kompanisë së inceneratorit të Tiranës “Integrated Energy”. Në këtë rast, Ceno Klosi, i cili është emëruar prej tetorit 2021 në krye të Administratës tatimore, kishte toleruar kompaninë “Integrated Energy”, që të akumulonte 5 milionë euro taksa të papaguara, gjatë kohës që administrohej nga privatët.
Nga një dokument zyrtar i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve evidentohet mbi detyrimet e papaguara që koncesionari i inceneratorit të Tiranës ka lënë në shtet. Sipas dokumentit, këto detyrime janë akumuluar në vite, kryesisht në formën e tatim fitimit dhe TVSH-së së papaguar.
Në prill 2023, Tatimet e drejtuara nga Klosi dhe kompania “Integrated Energy” kishin nënshkruar një marrëveshje për shlyerjen e detyrimeve me këste. Kompania kishte 5 milionë euro borxhe të prapambetura dhe sipas marrëveshjes pagoi 20% të shumës menjëherë, ndërkohë që pjesa tjetër e detyrimit do të shlyhej me këste mujore.
Eksperti i Ekonomisë, Pano Soko thekson se marrëveshja e Ceno Klosit me firmën e Inceneratorëve duhet të hetohet.
“Unë mendoj se të tilla hapësira edhe duhet të hetohen, pra fakti i arritjes së marrëveshjeve të tilla, të cilat nuk kanë pse arrihen me subjekte me risk me nivel të lartë risku. Mundet të arrish me një objekt serioz, i cili për një arsye ose për një tjetër, mundet të jetë në vështirësi me pagesat me tatimet.
Por një subjekt me risk, i cili është i hetuar penalisht në këto momente, kur pronarët e tyre janë në kërkim ndërkombëtar nga organet ligjzbatuese. Dhe ti kërkon të aplikosh një marrëveshje, a thua ti se ke të bësh ti me një kompani normale që ka qenë 20 vite në treg dhe ka qenë serioze në treg?! Kjo lë hije të shumta dyshimi nga mbrapa…”- shprehet Soko.
Por në korrik 2023, kësti nuk u pagua, ndërkohë që muajin pasardhës, në 1 gusht kompania u sekuestrua nga SPAK dhe u vendos nën administrim shtetëror. Tashmë që kompania administrohet nga shteti, Tatimet kanë paralajmëruar për bllokim të llogarive, ndonëse sa ishte në administrim privat e toleroi të krijonte borxhe masive.
Madje e toleruan edhe të lëvizte paratë nga llogaritë e saj, pasi kur kompania u mor në administrim nga shteti, në llogaritë e saj u gjendën vetëm 200 mijë lekë dhe më pak se 1 mijë euro.