“Johny Spica” roli i interpretuar në vitet 80-të nga Roberto Benigni, tregon historinë e një qytetari të thjeshtë, por që u ngatërrua me një mafioz dhe jeta e tij ndryshoi përgjithmonë, pasi u kthye në një personazh mjaft të kërkuar si nga grupet rivale, po ashtu dhe nga policia.
Një film komik dhe shumë i bukur, por pak kush do e kishte menduar se ngatërresa të tilla mund të ndodhnin dhe në realitet.
E tillë është edhe historia e një grupi aktorësh nga Kosova, të cilët pas kthimit nga Firence ku kishin interpretuar në Teatrin më të madh të qytetit, ju ndodhi një surprizë e pakëndshme ndërsa po kalonin në Shqipëri.
Dikush nga aktorët u ngatërrua nga ana e policisë shqiptare me një person të shumëkërkuar, dhe për pasojë e gjithë trupa përfundoi në komisariat, për më shumë se 10 orë.
Dramaturgu Jeton Neziraj ka rrëfyer në “Vizioni i Pasdites” të moderuar nga Brikena Prifti në Vizion Plus, eksperiencën e pazakonshme që përjetuan.
Ai theksoi se u gjendën nën presionin e vazhdueshëm të policisë shqiptare, të cilët i rrëmbyen pa ju thënë asgjë, madje pa ju lexuar as akuzat.
Pjesë nga biseda:
Brikena Prifti: Duket e pabesueshme të arrestohet artistët, çfarë ndodhi?
Jeton Neziraj: Do të kishte qenë një komedi interesante, sikur mos kishte ndodhur në realitet. Është vështirë të përmblidhet në pika të shkurtra pasi ka qenë një ngjarje e vështirë. Jemi gjendur në një situatë pa informacion, jemi ndaluar nga policia, jemi dërguar në stacionin e policisë në Kukës, jemi mbajtur për 3 orë. Pastaj erdhi ekipi i Tiranës, të cilët na dërguan në një tjetër komisariart. Ky për mua ishte një lloj rrëmbimi, pasi ne kemi qenë në terr informativ, nuk kemi qenë të informuar, se përse jemi ndaluar. Kjo lloj odiseje vazhdoi deri të nesërmen në orën 10 të mëngjesit kur është sqaruar se ne jemi ndaluar gabimisht. Ky lloj incidenti ka ndodhur për një gabim dhe jo për profesionalizëm të policisë, të cilët kanë ngatërruar emrin Flaka.
/Vizionplus.tv/