Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Vitia fton deputetët ta votojnë propozim amandamentin që lidhet me të drejtat e personave me aftësi të kufizuara

 
   

Kuvendi i Kosovës ka filluar seancën e parë të lajmëruar për sot, e cila ka vetëm një pikë në rendin e ditës.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se në këtë pikë të ditës do të shqyrtohet propozimi i amandamentit kushtetues numër 27, që ka të bëjë me përfshirjen e konventës së Kombeve të Bashkuara për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara në nenin 22 të Kushtetutës.

Më pas, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se sot po propozohet përfshirja e konventës së Kombeve të Bashkuara për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara në listën e instrumenteve ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut të garantuara me Kushtetutë si amandament kushtetues

Vitia i ka bërë thirrje deputetëve që ta votojnë këtë ndryshim kushtetues.

“Vitin 2022 e patëm shpallur si vitin e personave me aftësi të kufizuara. Respektimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut të garantuara me Kushtetutë dhe instrumente ndërkombëtare për të drejtat e njeriut zbatohen ndaj të gjithëve pa dallim. Neni 22 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës liston instrumentet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut që aplikohen drejtpërdrejt në sistemin tonë juridik dhe kanë supremaci mbi legjislacionin vendor. Të dashur deputetë sot po propozohet përfshirja e konventës së Kombeve të Bashkuara për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara në listën e instrumenteve ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut të garantuara me Kushtetutë si amandament kushtetues. Pra, një e drejtë që është ndërkombëtarisht e njohur, të normohet edhe me Kushtetutën e Kosovës duke bërë amandamentimin e saj. Sistemi kushtetues i Kosovës i ka vënë vetës për detyrë parësore që t’u përmbahet detyrimeve të tij sipas të drejtës ndërkombëtare duke u dhënë prioritet traktatave ndërkombëtare rajonale dhe konventave të të drejtave të njeriut të zbatuara në të drejtën vendore, në nenin 22 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Konventa e OKB’së për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara fuqizon pasqyrën kushtetuese dhe ligjore për sa i përket mbrojtjes dhe avancimit të të drejtave të personave me aftësi të kufizuara në të gjitha fushat. Andaj, marrë parasysh sa i rëndësishëm është ky amandamentim, ju lutem dhe ju ftoj ta votoni këtë ndryshim kushtetues”, ka thënë Vitia.

Në këtë seancë kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesit e shoqatave për personat me aftësi të kufizuara.