Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Vitia i bindur se këtë vit do të ketë sigurime shëndetësore: Me investime po ulet nevoja për trajtim jashtë vendit

 
   

Sistemi Informativ Shëndetësor, stabilizimi i tregut farmaceutik, krijimi i kushteve për profesionistët shëndetësor, janë disa nga prioritet për këtë vit të ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia.

Vitia ka thënë se në fillim të mandatit janë detyruar të merren me sigurimin e vaksinave anti-covid. Vitia shpreh bindjen se sigurimet shëndetësore do të përfundojnë këtë vit. Punë të madhe ka thënë se po bëjnë edhe në investime nëpër klinika që ulin edhe nevojën për trajtim jashtë vendit.

“Premtimi kryesor në mandatin 2021 ka qenë sigurimi i vaksinave dhe vaksinimi mbi 60 për qind të qytetarëve në një kohë pandemie, ku asnjë sektorë nuk ka funksionuar si duhet. Mendoj që e kemi përmbushur, kemi thënë se do të stabilizojmë tregun farmaceutik po punohet në këtë drejtim dhe gjatë këtij viti ky treg do të stabilizohet. Kemi thënë që do të fillojmë me sistemin informativ shëndetësorë i cili tashmë është nënshkruar kredia me Bankën Botërore ku janë siguruar shuma e mjaftueshme për të filluar punën menjëherë me Sistemin Informativ Shëndetësor”, ka thënë Vitia, teksa këtë proces e sheh si fillim të implementimit të sigurimeve shëndetësore. Ky Projektligj sipas tij është në fazën e fundit për procedim në Qeveri.

“Para kësaj është bërë një studim i fizibilitetit që të mos eksperimentojnë më siç ka qenë më herët edhe një plan i punës. Tani me kredinë do të fillojë punën menjëherë edhe si parakusht për fillimin e sigurimeve shëndetësore. Ligji për sigurimet shëndetësore është në faza e fundit para procedimit në Qeveri pastaj miratimin në Kuvend. Kemi thënë që do t’i plotësojmë kushtet e mjekëve ku kemi rritur në mënyrë të ndjeshme gati dyfish pagat e profesionistëve shëndetësore, kemi thënë që do ta përmirësojmë edhe infrastrukturën dhe kushtet e mjekëve në infrastrukturë, këtë po bindemi çdo ditë në klinikat e reja”, ka deklaruar Vitia.

Vitia ka përmendur edhe investimet që po bëhen në klinika të ndryshme të QKUK-së. Sipas tij, ky është një tjetër premtim që është duke u realizuar.

“Kemi thënë se do të përmirësojmë edhe kushtet për pacientë me këto investime me të cilat po i bëjmë kështu mendoj që ka akoma shumë për të bërë por një pjesë të madhe të gjërave që ne i kemi thënë në fushatën e vitit 2021 një pjesë e mirë është duke u realizuar dhe një pjesë tjetër është duke u realizuar edhe pse me vonesa të cilat i ka sjellë pandemia. Kushtet në secilën klinikë pothuajse nuk kanë qenë të mira, po flasim për një ShSKUK që ka mbi 7-8 mijë të punësuar me shumë klinika dhe reparte. Nuk munden që të përmirësohen të gjitha kushtet në secilin repart dhe klinikë brenda as një afati katërvjeçar e ndoshta as një afatin gjashtë e tetë vjeçare”, ka thënë tutje Vitia.

Kreu i MSh-së është i bindur se do ta përmirësojnë furnizimin me barna esenciale, pjesë për të cilën thotë se ka munguar që nga paslufta.

“Jam shumë i sigurt që edhe pas pesë, gjashtë viteve mund të gjenden një repart apo një klinikë që mund të kërkojë investim por e jona është që aty ku ka më së shumti potencial të dëmit për qytetarët aty ku ruhet xhepi i qytetarëve me shërbime të reja duke i shtuar me këto investime në infrastrukturë aty mendoj që po e bëjmë punën mirë. Mungesa për barnat esenciale është aq e vogël në krahasim me gjithë kohën përpara që sa vite prej 2000-tës dhe tutje dhe po punojmë vazhdimisht që ta përmirësojmë në 100 për qind pjesën e furnizimit me barnat nga lista e barnave esenciale”, u shpreh Vitia.

Vitia ka deklaruar për Eo se nga investimet që kanë bërë, kanë arritur ta ulin edhe nevojën e pacientëve për të dalë jashtë shtetit. Si shembull ka marrë Klinikën e Oftalmologjisë, ku në të kaluarën janë harxhuar rreth gjashtë milionë, ndërsa tani nevoja për trajtim jashtë vendit është ulur katërfish.

“Është Fondi i Sigurimeve Shëndetësore që ju garanton këtyre pacientëve shuma të caktuara për të marrë shërbime jashtë Kosovës. Në Klinikën e Oftalmologjisë më herët janë harxhuar rreth gjashtë milionë euro për trajtime jashtë vendit dhe investime rreth një milion e gjysmë që i kemi bërë në këtë klinikë. Sot trajtimet jashtë vendit që trajtohen në këtë klinikë rreth një milion, do të thotë se e kemi ulur më shumë se katërfish nevojën për të shkuar jashtë vendit. Ligji për Sigurimet Shëndetësore është në fazën e fundit ka kaluar konsultat paraprake ka kaluar diskutimet publike është një mori një listë e gjatë e komenteve që ky ligj i rëndësishëm ka marrë gjatë kësaj kohe dhe mirë që ka marrë sepse kjo na obligon që të jemi shumë të vëmendshëm sepse është një ligj që na përcakton shëndetësinë kosovare në vitet në vazhdim”, u shpreh Vitia.