Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Vitia: Operatori ekonomik “Farmalider” dyshohet se ofroi dokumente të falsifikuara

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka mbajtur një konferencë për medie, ku ka thënë se kompania “Farmalider” nuk ka pasë leje për të importuar insulina në Kosovë.

Vitia tregoi se operatori ekonomik “Farmalider” dyshohet tashmë se ka ofruar dokumente të falsifikuara gjë që konsiderohet vepër penale.

“Dje me datën 12 qershor jemi njoftuar zyrtarisht se asnjëherë në fakt kompania “Farmalider” nuk ka pas asnjë leje apo marrëveshje për të importuar insulina në Kosovë”, u shpreh Vitia.

“Në dokumentin e muajit maj 2023 operatori ekonomik e ka ofruar një dëshmi nga “Farmatrade” në gjuhën angleze me qëllim të konfirmimit të rregullësisë së dëshmisë ministria e Shëndetësisë ka kontaktuar përmes shkresave elektronike me kompaninë “Farmatrade” në selinë në Maqedoninë  e Veriut”.

“Nga ana e kompanisë “Farmatrade” kemi pranuar përgjigjen me shkrim se dëshmia e ofruar nga “Farmalider” nuk është valide dhe ata nuk kanë ofruar asnjë dëshmi të tillë”.

“Operatori ekonomik “Farmalider” dyshohet tashmë se ka ofruar dokumente të falsifikuara gjë që konsiderohet vepër penale”.

Ai tregoi se ministria e Shëndetësisë çdo herë në mënyrë të vazhdueshme ka bërë thirrje të gjitha kompanive që t’i regjistrojnë produktet.

“Në këtë rast, të gjitha kompanitë prodhuese të insulinave t’i regjistrojnë produktet e tyre në Republikën e Kosovës, për një produkt sa të rëndësishëm aq sa jetik për të gjithë pacientët që janë të varur nga insulinat”, tregoi Vitia.

Meqë kompania në fjalë nuk ka pasë leje, Vitia pyet nga do i merrnin ato?

“Kompania në fjalë nuk ka dashur të aplikoj për autorizim për shkak se nuk ka mundur, nuk ka nuk ka pasur leje nga prodhuesi amerikan. Pyetja që shtrohet këtu nga do i merrnin insulinat kur nuk kanë pasur leje për t’i marr ato amerikane,. Produkte false, kontrabandë apo çka kjo duhet kuptuar dhe sqaruar sa më parë”.

“Këto prova i kemi dërguar në organet e sigurisë. Gjitha shkresat elektronike i kanë organet e sigurisë, ku dyshohet për vepër penale si falsifikimi i dokumentit me qëllim të përfitimit të jashtëligjshëm”.