Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

“Vitin tjetër do të kemi 500 policë më shumë”, Petkoviq reagon pas deklaratës së Kurtit

Deklarata e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, se forcave të policisë do t’i shtohen 500 efektivë të rinj, ndërsa Shërbimit të Sigurisë së Kosovës do t’i shtohen 600 pjesëtarë, nuk i ka pëlqyer aspak Serbisë e cila nuk ka humbur aspak kohë për tu viktimizuar.

Drejtori i Zyrës serbe për Kosovë dhe Metohinë, Petar Petkoviç me anë të një deklarate ka pretenduar se rritja e numrit të forcave të sigurisë vjen jo si rezultat i kërcënimit të jashtëm, por sipas tij si shkak i planeve të Prishtinës për të terrorizuar serbët në Veri.

“Forcat shtesë policore dhe paraushtarake që Kurti synon të angazhojë nuk shërbejnë për të penguar ndonjë kërcënim të jashtëm, sepse një kërcënim i tillë nuk ekziston, por për të forcuar formacionet për të frikësuar dhe terrorizuar popullatën serbe në Kosovë dhe Metohi me qëllim vazhdimi i spastrimit etnik të serbëve nga Kurti”, thuhet në njoftim.

Edhe Lista Serbe regoi në të njëjtën linjë, duke deklaruar se Kosova me këtë akt po vepron në kundërshtim me thirrjet e bashkësisë ndërkombëtare, duke përshkallëzuar më tej situatën.

“Formimi i formacioneve shtesë të armatosura njëkombëshe në një kohë si kjo është një pasqyrim i dëshirës së dukshme për të zgjidhur problemet duke militarizuar këtë zonë dhe formacionet e armatosura në vend të dialogut”, tha Srpska lista.

Kujtojmë se Kurti deklaroi më herët ditën e sotme se mbi 1 mijë forca të reja sigurie do t’i shtohen atyre aktuale n vitin e ardhshëm.

“U thoni të gjithë aktivistëve e qytetarëve që nuk do të mund të na ndalin as në jug e as në veri. Sot u bën gjashtë javë që na e vranë rreshterin Afrim Bunjaku, por në vitin 2024 do të kemi 600 ushtarë më shumë e 500 policë më shumë për ligj e kushtetutshmëri, për mbrojtjen dhe sigurinë e Kosovës sonë”, tha Kurti.