Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Vizita e fundit e Lajçak në Kosovë vlerësohet joproduktive, Demhasaj: Çështja e dinarit ka bllokuar dialogun

 
   

Pavarësisht vizitës së djeshme të emisarit special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak në Kosovë dhe paralajmërimeve për takim të radhës të kryengociatorëve në Bruksel, pritjet për rezultate në dialog janë minimale, madje edhe për gjetjen e një zgjidhje për Rregulloren e Bankës Qendrore e Kosovës (BQK), ku ndalohet përdorimi i dinarit serb në Kosovë.

Sipas njohësve të procesit të dialogut Kosovë-Serbi, ky proces ka hyrë në një ngërç të ri dhe se s’ka asnjë indikacion që situata po shkon drejt zgjidhjes, veçmas kur brenda pak muajsh do të mbahen zgjedhjet e reja në Bashkimin Evropian.

Drejtori ekzekutivi i Lëvizjes Çohu, Arton Demhasaj, thotë se për aq kohë sa nuk jepet një zgjidhje për çështjen e dinarit s’do të ketë diskutim për zbatimin në tërësi të marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit.

Sipas tij, qeveritarët kanë gabuar që nuk kanë dëgjuar këshillat e amerikanëve për shtyrje të këtij vendimi, derisa tash për këtë temë pritet të diskutojnë në Bruksel në nivel të kryenegociatorëve.

“Rregullorja e re e BQK-së për dinarin në një mënyrë e ka bllokuar procesin e dialogut. Krejt energjia e emisarëve, njëkohësisht edhe palëve në dialog është orientuar kah çështja e dinarit. Për aq kohë sa nuk ka me u jep një zgjidhje për çështjen e dinarit mendoj se s’ka me pas dialog dhe as diskutim për zbatim të marrëveshjes bazë. Takimi i djeshëm temë kryesore ka qenë çështja e dinarit, me shumë gjasë edhe takimi i ardhshëm që pritet të organizohet në Bruksel mes dy kryesuesve të dy delegacioneve do të jetë temë e diskutimit dinari. Kur t’i jepet zgjidhje problemit të dinarit, atëherë mendoj se presioni do të kthehet prapë te marrëveshja bazë, zbatimi i saj që lidhet me kryerjen e obligimeve nga dy palët”, thotë Demhasaj.

Në anën tjetër, politologu, Albinot Maloku, thotë se vizita e Lajçak në Prishtinë është më shumë në vazhdën e përpjekjeve të tij për zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit.

Mirëpo, ai shton se pa një sekuencim të qartë dhe të balancuar për zbatimin e marrëveshjes nuk pret që të ndodh një gjë e tillë.

“Ai (Lajçak) me siguri që do të provojë maksimalisht të shtyjë përpara çështjen e të ashtuquajturës marrëveshje bazike, apo pajtimit të ndodhur në Bruksel dhe Ohër, që faktikisht Kosova e ka dhënë Po-në e vet, pavarësisht faktit se nuk ka nënshkrim. Nga lehtësuesi i dialogut dhe faktori tjetër ndërkombëtar po na thuhet se nuk është e nevojshme të kemi nënshkrimin, për pasojë palët janë të obliguara të jetësojnë pajtimin e ndodhur në Bruksel dhe Ohër. Kosova e ka pjesën e saj, tash a ka përparim në drejtim të shtyllave thelbësore për të jetësuar nuk ka. Kemi një letër të kryeministres serbe që theksojnë se nuk do të jetësojnë pjesë të kësaj marrëveshje, ndërsa në anën tjetër, qeveria e Kosovës zvarrit dhe gjen metoda nga më të ndershme që mos të jetësojnë marrëveshjen. Lajçak e ka pjesë e vet të mandatit të mbetur dhe do të insistojë në jetësimin e pajtimit të ndodhur në Bruksel dhe Ohër”, deklaron ai.

Ndërkaq, Demhasaj, konsideron se pavarësisht vizitës së Lajçak në Kosovë, s’ka asnjë indikacione se situata po shkon drejt zgjidhjes sa i përket ndalimit të përdorimit të dinarit serb.

“Momentalisht s’ka indikacioni që situata po shkon drejt zgjidhjes. Në njërën anë qeveria po këmbëngul që çështja e rregullores është në kompetencë të BQK-së si organ i pavarur, ndërsa në anën tjetër presioni ndërkombëtar është që kjo rregullore duhet të shtyhet dhe t’i jepet kohë zbatimit të marrëveshjes. Kështu që momentalisht s’ka apo nuk po duket se ka një zgjidhje”, thekson Demhasaj.

Lajçak të martën ka qëndruar në Kosovë, ku është takuar me zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi. Pas takimit, ai ka thënë se do të dëshironin të shohin përparim më të madh në zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit.

Sipas tij, kjo marrëveshje, e cila ditë më parë ka bërë 1 vit nga nënshkrimi është ujdia më e mirë që Kosova dhe Serbia mund të arrijnë. Krahas kësaj, ai ka bëri të ditur se kanë diskutuar edhe për çështjen e dinarit serb, ndërkaq paralajmëroi se shumë shpejtë do të ketë takim të kryenegociatorëve në Bruksel.

Ndërkaq, sipas komunikatës qeveritare, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, në takim me Lajçak ka potencuar se Rregullorja e BQK-së nuk është pjesë e dialogut me Serbinë, derisa ka theksuar nevojën e zbatimit të marrëveshjes bazike Kosovë-Serbi.