Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Vizita e ministrit të Mbrojtjes së Turqisë në Kosovë – deklaratat nga konferenca e takimet me krerët shtetërorë

Me nderime të larta shtetërore është pritur të martën në Kosovë ministri turk i Mbrojtjes, Yasar Guler.

Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, Ejup Maqedonci ka pritur homologun e tij turk gjersa pas takimit të përbashkët kanë mbajtur një konferencë për media.

Guler pas takimit me Maqedoncin theksoi se të martën në Prishtinë se dialogu është rruga e vetme për paqe dhe stabilitet në rajon.

Ai tha se raportet e Turqisë me Kosovën si partner në Ballkan do të vazhdojnë në të gjitha fushat.

“E theksuam faktin se duke nisur nga Kosova, paqja lumturia dhe siguria në Ballkan për ne është çështje që ka peshë të madhe… Ne themi se dialogu është rruga e vetme e paqes dhe stabilitetit afatgjatë në këtë rajon dhe ritheksuam faktin se detyrën e komandantit të KFOR-it, e kemi marrë përsipër dhe do ta realizojmë me neutralitet dhe transparencë të plotë”, tha Guler.

Ai shtoi se Turqia përkrah sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare.

Raportet tona me Kosovën si bashkëpunëtorë e jona në Ballkan në të gjitha fushat vazhdojnë me shpejtësi dhe stabilitet të ndërtuar sipër raporteve të kamotshme historike e kulturore. Ne e përkrahim sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Kosovës, unifikimin me institucionet euroatlantike dhe anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare”, theksoi ai.

Ndërkaq, ministri i Mbrojtjes të Kosovës Ejup Maqedonci në këtë takim ka kërkuar mbështetje për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në partneritetin e programit për paqe, dhe ka theksuar rëndësinë e anëtarësimit në NATO që garanton stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

“Republika e Turqisë ka qenë, dhe do të mbetet partner strategjik për Republikën e Kosovës, bashkëpunimi mes vendeve tona, është ndërtuar një shtyllë mbi shtyllat e forta të parimeve dhe besimit reciprok, prandaj si i tillë ai do të vazhdojë të thellohet, dhe patjetër që do të jetë i qëndrueshëm me forcë… Në këtë aspekt kam kërkuar nga ministri Guler mbështetje për anëtarësimin e Republikë së Kosovës në partneritetin e programit për paqe, dhe kam theksuar rëndësinë e anëtarësimit tonë në NATO si rrugë që garanton stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, shtoi Maqedonci.

E ministri turk është pritur në Prishtinë edhe nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe më pas në një darkë pune nga kryeministri Albin Kurti.

Presidenca njoftoi se Osmani e uroi për pozitën e tij si ministër në Republikën e Turqisë, si dhe e falënderoi Turqinë e në veçanti presidentin Erdogan për përkrahjen e vazhdueshme ndaj Republikës së Kosovës.

Gjatë takimit me ministrin u diskutua për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes me theks të veçantë në trajnimet e FSK-së dhe shkëmbimin e intensifikuar me qëllim të avancimit të bashkëpunimit të përgjithshëm në fushën e sigurisë”, thuhet në komunikatën për media.

“Më tej, Ministri Guler u shpreh mirënjohës ndaj Republikës së Kosovës veçmas me solidarizimin dhe ndihmën që Republika e Kosovës i pati ofruar Turqisë pas tërmetit shkatërrues në këtë shtet”, njoftoi Presidenca.

Në takim, Osmani thuhet se foli edhe për gjendjen aktuale të sigurisë në Kosovë, si dhe për aktin e agresionit dhe sulmin terrorist të Serbisë që ndodhi më 24 shtator në Republikën e Kosovës, me ç’rast potencoi se garantimi dhe mbrojtja e sigurisë në vend janë prioritet.

Konfirmoi gatishmërinë dhe rëndësinë e bashkëpunimit me aleatët në këtë drejtim”, përfundon njoftimi.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka pritur në drekë pune ministrin turk të Mbrojtjes, Jashar Gyler.

Në një postim në platformën X, Kurti ka shkruar se me ministrin turk të Mbrojtjes kanë diskutuar mënyrat për të vazhduar marrëdhëniet.

“I kënaqur të pres sot për drekë ministrin turk të Mbrojtjes Yaşar Güler. Ne diskutuam mënyrat për të vazhduar marrëdhëniet tona të forta dypalëshe në fushën e mbrojtjes”.

Unë gjithashtu ritheksova angazhimin tonë për të ruajtur paqen dhe për të garantuar sigurinë e të gjithë qytetarëve tanë kundër dhunës terroriste”, ka shkruar kryeministri në platformën X.