Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Vizita e senatorit amerikan në Kosovë, çka u tha pas takimeve me krerët e shtetit

 
   

Gjatë vizitës së djeshme që pati në Kosovë, senatori amerikan Jack Reed, ka thënë se mbështetja e SHBA-së ndaj Kosovës në vitin 1999 për çlirim dhe pavarësim, ka qenë një nga veprimet më të çmueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ai i bëri këto komente gjatë takimit me kryeministrin Albin Kurti.

“Ndër të tjerash, (Reed) tha se mbështetja ndaj Kosovës në vitin 1999 ka qenë një nga veprimet më të çmueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërkohë që vlerësoi progresin që ka arritur Kosova dhe dha mbështetjen e tij për rezultatet pozitive”, thuhet në komunikatën e djeshme të Qeverisë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka kërkuar ndihmën e Shteteve të Bashkuara (SHBA) për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Kosovës në Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), gjatë një takimi me senatorin amerikan, Jack Reed, të martën në Prishtinë.

Osmani tha se SHBA-ja “nuk kanë aleate dhe mike më të madhe në rajon se sa Republikën e Kosovës”, duke e cilësuar popullin kosovar si “më proamerikan në Evropë dhe në botë”.

Ajo e falënderoi senatorin Reed, i cili është kryesues i Komisionit të Forcave të Armatosura në Senatin e SHBA-së, për mbështetjen e ShBA-ve për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), respektivisht përfshirjen e Kosovës në Asistencën e Trajnimit Ushtarak të SHBA-së me Ligjin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare të vitit 2024.

”Kosova synon për anëtarësim në NATO dhe përfshirje në Partneritet për Paqe (PfP), ndaj është e rëndësishme edhe e domosdoshme mbështetja e SHBA-së në përshpejtimin e këtij procesi. Shpresa jonë është që Kosova të jetë sa më parë në PfP si hap që i paraprinë anëtarësimit në NATO”, tha Osmani.

Kurse, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka falënderuar atë, pasi Kosova është përfshirë në Aktin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare.

”Një kënaqësi e madhe për të pritu @SenJackReed sot. E falënderova për mbështetjen e vazhdueshme dhe të jashtëzakonshme të për vendin tonë si dhe përfshirjen më të fundit të Kosovës në Aktin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare, i cili u mundëson ushtarëve tanë të marrin pjesë në stërvitjet ushtarake të udhëhequra nga SHBA”, ka shkruar Kurti në Twitter.