Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Vjen ‘goditja’ e rëndë për opozitën, juristi nga Belgjika përmend edhe Grenellin – ja çfarë ndodhë nëse e rrëzojnë Kurtin nga qeveria!

PDK, LDK dhe AAK, janë bërë më të zëshme se kurrë për rrëzimin e qeverisë Kurti, madje në vazhdimësi hedhin akuza dhe kritika ndaj kryeministrit për qasjen e tij ndaj Serbisë dhe çështjes së veriut.

Ndonëse, uniteti partiak është i domosdoshëm, pasi Kosova po kalon në një situatë të vështirë politike, një gjë e tillë nuk po shihet të ndodhë.

Madje, jemi në pikën kur partitë opozitare po refuzojnë kategorikisht bashkëpunimin me Qeverinë dhe Kuvendin.

Jurisiti nga Belgjika, Skënder Musliu në një prononcim për gazetën “Bota sot” komentoi akuzat dhe kritikat e partive opozitare drejtuar Kurtit dhe qeverisë së tij.

Fillimisht, ai tha se që nga koha kur Kurti e ka marrë mandatin e kryeministrit, opozita ka punuar kundër qeverisë me kauza të rreme dhe mashtrime.

Madje, ai kujtoi se si Grenell u ndihmoi partive opozitare për të rrëzuar qeverinë Kurti 1.

“Për të përkujtuar se çfarë opozita ka Kosova, duhet të kthehemi në një retrospektivë të shkurtër.

Që nga fillimi i mandatit të kryeministrit Kurti, opozita përmes kauzave të rreme, mashtrimeve dhe manipulimeve me opinionin, ka punuar kundër Qeverisë, fillimisht keqpërdorën veteranët e luftës duke i nxitur në demonstrata lidhur me pagat, edhe pse vet ata i kishin sjellë në këtë situatë duke e rritur trefishin e numrit real; keqpërdorën krizën energjetike globale për t’i provokuar qytetarët ; me iniciativën e opozitës, sindikata e SBASHK-ut hyri në grevë që shkaktoi ndërprerje në procesin arsimor ; në kohën kur bota përballej me pandeminë Covid-19, kur gjithandej nëpër botë për shkak gjendjes së jashtëzakonshme iu zgjatej mandati i parlamenteve dhe qeverive, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja në krye me Grenellin, në mënyrë kriminale rrëzuan Qeverinë Kurti 1, nën pretekstin, e rrejshëm, se Kurti po i prish raportet me SHBA-në”, deklaroi juristi.

Musliu ndërlidhi krizat në veri me sanksionet e vendosura nga BE, ku përmendi edhe strukturat kriminale serbe dhe anulimin e mbledhjes së dy qeverive shqiptare.

 Image Jurisiti nga Belgjika, Skënder Musliu 

Krahas kësaj, ai tha se pozitën e Kosovës po e vështirësojnë edhe partitë opozitare me bojkotimet e tyre dhe planet për rrëzimin e qeverisë sonë.

“Pas krizës në veri të Kosovës të shkaktuar nga Lista serbe, strukturat kriminale të dirigjuara nga Beogradi dhe të ndihmuara nga disa deklarata dhe veprime të papërgjegjshme të disa diplomatëve, BE-ja i vendosi Kosovës masa të padrejta ndëshkuese, duke e kursyer pikërisht epiqendrën e problemit, Serbinë. Por fatkeqësisht para BE-së, sanksione Kosovës i vendosi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama duke e anuluar mbledhjen e përbashkët të dy Qeverive.

Bizarisht edhe partitë opozitare, pas mbledhjeve të strukturave partiake, faktikisht vendosën të aplikojnë sanksione ndaj Qeverisë Kurti, respektivisht PDK-ja dhe LDK-ja deklaruan se, tani e tutje, do t’i ndërpresin kontaktet dhe komunikimet me Kryeministrin Kurti, presidenten Vjosa Osmani, do t’i bojkotojnë të gjitha Komisionet e Kuvendit dhe mbledhjet e Kuvendit duke mos votuar asnjë ligj, marrëveshje, rezolutë…., kurse AAK-ja kërkon një front të përbashkët me partitë tjera për shkarkimin e Qeverisë”, theksoi ai.

Në vazhdim, juristi kritikoi ashpër PDK-në, në veçanti Vlora Çitakun, ku tha se me arrogancë po e kritikojnë Kurtin, kur ishte vetë që lobonte për ndarje të Kosovës.

Ai kishte disa fjalë edhe për LDK-në dhe AAK-në, të cilët sipas tij e mbështetin planin për ndarjen e vendit.

“PDK-ja e në veçanti Vlora Çitaku, që është bashkëfajtore  bashkë me ish shefin e saj,  kritikojnë  ashpër dhe me arrogancë Kurtin për situatën e krijuar, por mos të harrojmë se Çitaku derisa ishte ambasadore në Uashington, ndër vite ka lobuar për ndarjen e Kosovës. LDK-ja po ashtu është hisenik i kësaj situate, sepse krerët e saj publikisht janë deklaruar për ndarjen e Kosovës. AAK-ja respektivisht Ramush Haradinaj, kur u bë kryeministër, me një dekret të veçantë ia transferoi kompetencat për dialog Hashim Thaçit, sepse ky ishte kushti për t’u bërë kryeministër, duke e ditur se Thaçi punonte për ndarjen e Kosovës.

Pikërisht gjatë  qeverisjeve të këtyre matrapazëve dhe hajnave politik, të organizuar mbi një strukturë të fortifikuar kriminale dhe mafioze politike, uzurpuan të gjitha institucionet shtetërore në të gjitha nivelet, përmes pronto mafisë, komandantëve të rrejshëm dhe komunistëve, kapën gjykatat, prokuroritë, policinë, doganat …. dhe i vunë në shërbim të PLAN-it”, shpjegoi Musliu.

Më tej, ai ‘shpërtheu’ ndaj partive që për vite me radhë kishin pushtetin, duke i cilësuar si “qeveri mafioze’ që shkatërruan vendin.

“Këto hiena politike, pa kurrfarë ndjenja kombëtare dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës,  i falën me mijëra hektarë tokë të Kosovës së përgjakur Malit të Zi dhe Maqedonisë, mundësuan formimin e « Zajednicës », formuan Gjykatën Speciale, amnistuan kriminelët serb duke i punësuar nëpër institucionet e Kosovës, të gjitha këto nën pretekstin se aleatët e paskan kërkuar.

Këta karagjozë politik që investitorëve të huaj i kërkonin provizion prej 3 milionë euro, që KFOR-i iu ka gjetur bojlerin të mbushur me marka dhe dollar, që kanë vjedhur paratë e « Fondit vendlindja thërret » dhe « 3% », që janë pasuruar përmes haraçit, që kanë vjedhur në « asfalt », shtetin e shndërruan në plaçkë lufte. Qeveritë e kaluara mafioze për dy dekada, shkatërruan shëndetësinë, sistemin arsimor, shkatërruan ekonominë përmes privatizimit duke lënë mijëra punëtor pa punë, organizuan skema piramidale të korrupsionit dhe krimit të organizuar, lindi mafia urbane ajo e tokave dhe kontrabandës, pronto mafia, vjedhja e dhomave të dëshmive (ari, drogë, para…)”, nënvizoi juristi nga Belgjika.

Gjithashtu, Musliu vlerësoi se kuadri i LVV-ës është një plejade e re e intelektualëve, në krahasim me ata që ishin në pushtet në të kaluarën, të cilët tha se ishin pa punë dhe gjysmë analfabet.

“Opozita po ashtu kritikon LVV-në se nuk kanë përvojë institucionale dhe kinse nuk dinë të qeverisin duke e marrë në « qafë » Kosovën! Mirëpo këta që po kritikojnë  para se të vijnë në pushtet kishin ruajtur bagëti, ishin pa punë, gjysmë analfabet dhe disa kishin bredhë rrugëve të Evropës. Këta as që i kishin parë në ëndërr institucionet e shtetit, mirëpo situata i solli në pushtet, të paditur dhe  pa kurrfarë përvoje. Kurse kuadri i LVV-ës është një plejade e re e intelektualëve me diploma universitare jashtë Kosovës, që sot punojnë me përkushtim duke krijuar standarde të lartë të qeverisjes.

Për situatën e krijuar në veri të Kosovës, opozita nuk fajëson strukturat kriminale serbe që brutalisht plagosën ushtarët e KFOR-it, policinë  e Kosovës dhe gazetarët, as Vuçiqin e Listën serbe, por ajo fajëson kryeministrin Kurti, sepse ai po e shtrinë sovranitetin në veri të Kosovës, po i lufton bandat kriminale, po instalon shtetin e së drejtës, zbatimin e ligjit, mbrojtjen e integritetit dhe Rendit Kushtetues”, tha ai.

Në fund, juristi shtoi se në këto momente vendimtare të shtetit tonë, opozita po solidarizohet me Beogradin dhe politikat e tij.

Ai tha se nuk mund ta rrëzojnë qeverinë, dhe se në rast se mbahen zgjedhjet e reja, LVV do marrë 65 për qind të votave.

“Fatkeqësisht opozita në këto momente delikate dhe determinuese për të ardhmen e subjektivitetit të Kosovës, ka dezertuar nga shtet ndërtimi duke u solidarizuar me politikat e Beogradit zyrtar.

Opozita meqenëse nuk i ka numrat për ta rrëzuar Qeverinë, tani ajo po kërkon dorëheqjen e kryeministrit Kurti për të shkuar në zgjedhje të parakohshme, mirëpo këta nuk po i shohin sondazhet që Kurtin e nxjerrin fitues me mbi 65%.

Dhe tani, po këta që shkatërruan Kosovën, duan përsëri të vijnë në pushtet ? Mjerë Kosova mjerë, kush e ka udhëhequr – sunduar”, përfundoi Skënder Musliu për “Bota sot”.