Lidhja Demokratike e Kosovës pritet ta zgjedh kryetarin e saj kah mesi i tetorit të këtij viti.
Gazmend Muhaxheri, që drejton procesin e brendshëm zgjedhor, ditë më parë u shpreh shumë i bindur që Lumir Abdixhiku do të jetë përsëri në krye të partisë më të vjetër kosovare.
Madje jo veç për katër vjet.
“E kemi zgjedhur kryetarin për nja 15 vjet, ia kemi hjek dertin kryetarit. Lumirin. Pas 15-20 vjetëve e shohim”, u shpreh Muhaxheri.
E këtë deklaratë të Muhaxherit e komentoi analisti nga Amerika, Binak Maxharraj.
Ai në një shkrim në Facebook u shpreh se LDK po vetëknaqet me projektin “Rruga e RE”.
Madje tha se zgjedhjet brenda kësaj partie nuk pritet të jenë interesante, pasi ende pa filluar ato u shpall kryetari i ri.
“LDK këto ditë është duke ia bërë ‘qefin’ vetës, gati se nuk po fluturon nga vetëkënaqësia e saj me projekte të reja siç është ”Rruga e Re”, rrugë kjo e cila në zgjedhjet e ardhshme do qojë deri në ulësen e kryeministrit nga radhët e LDK. Kështu vepronin kur e pranuan në radhët e veta edhe antirugovistin e përbetuar Isa Mustafën. LDK ishte shumë e entuziazmuar, e ngazëlluar që po ju vjen se fundi një kryetar antirugovist, i cili e çmendi elektoratin gjatë fushatës duke e sharë PDK, krerët e saj e në veçanti me plotë sharje e kishte gojën ndaj SHIK.
Por, sot LDK doli edhe më një sihariq të ri lidhur me zgjedhjen e kryetarit të ri në tetor të këtij viti. Edhe kësaj radhe ngazëllimi qysh tash po del të jetë i madh, sepse veç tani LDK e din se kush do te zgjidhet për kryetar, madje për 15-20 vitet e ardhshme LDK ka e heq gajlen e kryetarit”, deklaroi analisti.
Krahas kësaj, Maxharraj tha se Muhaxheri me deklaratën e tij për Abdixhikun e dëmtoi veten dhe LDK-në.
“Këtë sihariq bombastik e dha para dy ditësh askush tjetër, pos nënkryetari i LDK-së, Gazmend Muhaxheri i cili shpesh me deklarimet e tij e bënë ‘gazë’ LDK-në, por me shumë vetveten.
Është një thënie e moçme ne popull: ”kur dikujt do me ja thy qafën, rritja mendjen”.
Gazmend Muhaxhiri-Gazi deklaroi për mundësinë e kandidimit të tij për kryetar të LDK tha shkurtë e trup jo:
“E kemi hekë dertin e kryetarit, edhe për nja 15 vitet e ardhshme e kemi Lumir Abdixhikun. Pas 15-20 viteve e shohim””, nënvizoi ai.
Po ashtu, analisti përmendi se si në të kaluarën nënkryetari Muhaxheri mbështeste Isa Mustafën dhe deklaronte se Çakorri nuk ishte pjesë e komunës së Pejës, me që me demarkimin e kufijve edhe mbeti jashtë Kosovës.
“Kështu, Gazmend Muhaxheri ky servile i kryetarëve të LDK i thurte elozhe edhe Isa Mustafës dikur, sa që vetë Muhaxheri kishte deklaruar me bekimin e Isa Mustafës se Çakorri kurrë nuk ka qenë në përbërje të komunës së Pejës, Dihet qartë se komisioni i Murat Mehës e kishte për detyrë të bëje demarkimin e vijës kufitare që nënkupton ndonjë korrigjim eventual të kufirit. Por, ky ‘halabak’ në vend të demarkimit i hyri demilitimit (krijimit të vijës së re kufitare, që nuk kishte të drejtë) më ç ‘rast sipas vijës së re kufiri me Malin e Zi zbriti mbi shtatë kilometra në brendësi të Kosovës, duke i humbur hiq më pak se 82000 hektarë. Pse, ndodhi kjo tradhti kombëtare një ditë do të del në shesh, sepse sipërfaqja e Malit te Zi u rrit për 8200 hektarë tokë, së bashku me përkrenaren Çakorrin të cilin as Kral Nikolla e as Mark Milani nuk munden ta merrnin gjatë historisë as me luftë’, shpjegoi Maxharraj.
Ndër të tjera, shkroi se Abdixhiku nëse qëndron për 15-20 vite në krye të LDK-së, do shndërrohet në autoritari si në rastin e Mustafës.
Madje, parashikoi se edhe mund ta zhvendos LDK-në me vota elektorale edhe më poshtë se 12 për qind, me rrezik të kalimit të pragut.
“Pra, shihni se deri ku shkon mendja e servilit, ia cakton qysh tani, bile edhe pa u mbajtur Kuvendi i LDK-së, parasheh se Lumiri do të zgjidhet për kryetar edhe për 15-20 vitet e ardhshme.
Ndoshta për 15-20 vite si kryetar i LDK-së edhe Lumir Abdixhiku, do të shndërrohet në ndonjë autoritar, despot partiak, siç ishte rasti me Isa Mustafën, i cili “sundoi” me LDK për 10 vite derisa e solli në 12%.
Por ekziston rreziku se për këto 15-20 vite të qeverisjes me LDK, Lumir Abdixhiku do të përfundojë “Rrugën e re” duke e rrëzuar LDK-në edhe më poshtë se sa 12% nga aty ku e la Isa Mustafa, apo ndoshta edhe nuk mund të kalojë as pragun.
Pra, kjo është ajo thënia e moçme që buron nga populli se “nëse do me ja thy qafën dikujt, rritja mendjen””, përfundoi Binak Maxharraj në shkrimin e tij, përcjell “Bota sot”.