Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Vjen reagimi i parë i LVV-së, pasi DASH e futi Xhabir Zharkun në “Listën e Zezë”

 
   

Ish kryetari i Kaçanikut, i cili ishte pjesë e PDK-së, Xhabir Zharku është futur në Listën e Zezë të departamentit amerikan të Shtetit për shkak të përfshirjes së tij në afera korruptive.

Pas këtij lajmi, ka reaguar zëdhënësi i LVV-së, Arlind Manxhuka.

Ai përmes një postimi në Facebook, thotë se, për Zharkun nuk po flitet që është pjesë e PDK-së, por po referohet si ish-kryetar i Kaçanikut.

“Për 3 vjet kanë folur se si për shkak të qasjes për veriun e vendit filani nga Qeveria e VV do të futet në listë të zezë të ShBA, pastaj pas ca muajsh thonin fisteku nga studio në tjetrën.

Ndërkaq, sot kur në listë të zezë u fut një eksponent i PDK-së, nuk po thonë që është i PDK-së, por thjeshtë ish-kryetari i kryetari i Kaçanikut, po raportojnë.

Kur jemi te objektiviteti”, ka shkruar ai.

Ndryshe, sot vet Zharku ka thënë se e përkrah vendimin e DASh-it, pavarësisht se ndjen keqardhje që kanë marrë një vendim të tillë, e akuzat e dënimet kundrejt tij i ka quajtur politike.

“Unë mendoj dhe konsideroj që është politike, unë e kam ditë që jam në listë të “non fly list” të SHBA-së por për listën e zezë për herë të parë po dëgjoj. Po nuk më prish punë, unë kam familjen, kam gruan shtetase amerikane dhe ndjej keqardhje për këtë veprim të State Departamentit, por në fund të fundit ata kanë zyrtarët e tyre dhe qëndrimet e tyre dhe unë i përkrah vendimet e SHBA-së, pavarësisht se çfarë vendimi ata kanë marrë për mua unë prapë i përkrahi sepse ata kanë qenë përkrahësit kryesore, të luftës, të çlirimit tonë, të Kosovës në të gjitha proceset politike dhe vendim marrëse, kështu që se kam unë atë problem edhe përkundër asaj që më kanë fut në listë të zezë unë i përkrahi dhe i mbështes Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Derisa ka dhënë edhe sqarime për veprat që akuzohej e edhe që u dënua në të kaluarën.

“Unë e kam kryer e kam vuajtur dënimin për aq sa jam dënuar në atë kohë dhe nuk kam pasë ndonjë problem. Ato për mua kanë qenë të gjitha raste politike. E di që jeni mësu me e dëgju këtë dhe nuk du me u arsyetu por janë më të vërtetë raste politike sepse edhe në parlamentin e Kosovës kryesisht politika e Kosovës e ka quajtur EULEX-in një mision të dështuar në Kosovë dhe unë kam qenë i akuzuar nga UNMIKU me dëshmitarë të rrejshëm. Kur kanë filluar me i marrë në pyetje ata dëshmitarë kanë ik prej Kosovës. Pas largimit të EULEX-it ata s’kanë mujt qysh me u arsyetu për dëshmitë që i kanë bërë rrejshëm dhe fals. Unë s’kam lidhje me këtë”, deklaroi Zharku.

Në vitin 2023, Gjykata e Apelit vërtetoi aktgjykimin e Gjykatës së Ferizajt për të liruar nga akuzat Zharkun për akuzat e shpërdorimit të pozitës dhe keqpërdorimit të pozitës zyrtare. Gjykata e Ferizajt kishte refuzuar aktakuzën për korrupsion për shkak se lënda paraprakisht ishte parashkruar.

Sipas aktakuzës, ai dyshohej se në kohën kur ishte qenë kryetar i Kaçanikut, më 2008 kishte shpërdorur pozitën zyrtare, pasi në mënyrë të paligjshme kishte lejuar ndërtimin e një objekti për banim kolektiv në një pronë të komunës. Leja, sipas aktakuzës, ishte dhënë duke shkelur procedurat e caktuara me Ligjin për procedurën e dhënies së koncesioneve.

Zharku edhe më herët kishte pasur probleme me drejtësinë në Kosovë, më 2011, ai ishte dënuar me tre vjet burgim për veprën penale të detyrimit dhe armëmbajtjes pa leje. Pas konfirmimit të vendimit ai ishte larguar nga Kosova dhe për gati pesë vjet e gjysmë kishte qëndruar në arrati në Suedi.

Më 7 qershor të vitit 2018, Zharku u kthye në Kosovë pasi paraprakisht Gjykata Themelore e Ferizajt, dega në Kaçanik, mori vendim për ndalimin e ekzekutimit të dënimit me burg, pasi lënda ndaj tij ishte parashkruar.