Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar veprimtarin e gazetarin Enver Maloku, në 25 vjetorin e vrasjes.
Sipas saj, ai e kultivoi fjalën e lirë dhe informoi me guxim për tragjedinë e popullit të vet duke u shndërruar në zëdhënës të fuqishëm për lirinë e pavarësinë e Kosovës, raporton Klan Kosova.
“Sot mbushen 25 vjet nga vrasja tinëzare e Enver Malokut, veprimtarit e gazetarit të guximshëm, njeriut që e shndërroi fjalën e lirë e informimin e drejtë në parime të një shoqërie dhe e shënjoi një epokë të raportimit të guximshëm e profesional”, ka shkruar Vjosa Osmani.
“Ai e kultivoi fjalën e lirë dhe informoi me guxim për tragjedinë e popullit të vet duke u shndërruar në zëdhënës të fuqishëm për lirinë e pavarësinë e Kosovës”, ka shtuar ajo.
Më tej, Osmani ka thënë se si zëdhënës i vullnetit politik e njerëzor të kombit të vet, ai mbetet shembull i njeriut të përkushtuar ndaj fjalës së lirë e lirisë së popullit të vet.
“Por, pikërisht në prag të arritjes së lirisë, Maloku u vra në hyrje të ndërtesës ku banonte. Fatkeqësisht, drejtësia ka dështuar deri më sot që t’i vendosë para drejtësisë përgjegjësit për këtë vrasje, sikur edhe për shumë të tjera, të kryera menjëherë pas luftës. Prandaj, sërish duhet ta përsërisim thirrjen për institucionet përgjegjëse që autorët e krimit të sillen para drejtësisë, duke përfshirë të gjitha vrasjet e pasluftës. I përjetshëm kujtimi për Enver Malokun”, ka shkruar presidentja Osmani