Analisti politik, Azem Vllasi duke komentuar kërcënimet nga ana e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, për pushtim të Kosovës, ka thënë se janë përralla dhe sipas tij, kjo është thjeshtë politikë nacionaliste serbe.
Për Vllasin, Vuçiq deklarimet e tilla po i bën sa për të mos e humbur përkrahjen e opinionit që e ka përbrenda.
Ai ka vlerësuar se krejt çka po synon Vuçiq është arritja e themelimit të Asociacionit si një “gogol” përbrenda, për ta destabilizuar strukturën kushtetuese të Kosovës.
“Vuçiq e ka për qëllim si ta heq qafe Kosovën dhe mos ta humb përkrahjen përbrenda duke deklaruar se ai vetëm e ka preokupim çështjen e serbëve të Kosovës dhe çështjen e tyre ta zgjidhë më Bashkësinë e Komunave Serbe dhe të mbetet ajo si një instrument i qeverisjes se serbëve të Kosovës dhe territoret e komunave në veri t’i qeverisë prej Beogradit. Dhe atë Zajdenicë ta lë si ‘gogol’ përbrenda për ta destabilizuar strukturën kushtetuese të Kosovës. Këto kërcënime janë përralla, sepse Serbia nuk mund i turret më me forcë askujt, e ka vetëm politikë nacionaliste”, është shprehur ai.
Gjithashtu, analisti Vllasi tha se edhe Vuçiq e ka kuptuar se Kosova është punë e kryer dhe tash kërkohet vetëm normalizimi i marrëdhënieve.
“Qëllimi i Vuçiqit është ta mobilizojë opinionin e brendshëm në përkrahje të tij. Çështjen e Kosovës e ka një prej temave për ta forcuar pushtetin e vet, ndryshe Vuçiq mirë e di, se çështja e Kosovës është e kryer, atë çështje e ka zgjidhe historia, Kosova është shtet, tash tema kryesore është si të normalizohen marrëdhëniet”, ka shtuar ai.
Kujtojmë, se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq së fundmi ka bërë disa deklarata kërcënuese ku tha se Perëndimi duhet të zgjedhë mes Kosovës dhe Serbisë. Nëse ata zgjedhin Kosovën, Vuçiq ka thënë se “Serbia do të presë momentin më të mirë të mundshëm dhe ne do ta shfrytëzojmë mundësinë tonë”.