Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Vllaznim Krasniqi, mik i Kadri Veselit i cili u arrestua sot

 
   

Trembëdhjetë persona, prej tyre dymbëdhjetë zyrtarë të Administratës Tatimore të Kosovës, kanë rënë në prangat e Policisë së Kosovës sot gjatë një aksioni të Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe Drejtorisë për Krime Ekonomike dhe Korrupsion.

Ata dyshohet se kanë kryer veprat penale ‘Mashtrimi në detyrë’, ‘Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin’ dhe ‘Shmangie nga tatimi’.

Në mesin e të arrestuarve është edhe inspektori i ATK-së, Vllaznim Krasniqi, i cili ka qenë më parë i emëruar si këshilltar i ish-ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavilevci.

Krasniqi ishte punësuar në ATK në maj të vitit 2019, duke u renditur i dhjeti me 81.5% të pikëve në testin me shkrim për kandidatët që aplikuan për pozitën e inspektorit.

Në kohën e punësimit të tij, ishte raportuar se Krasniqi kishte raporte të mira edhe me ish-kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veselin, me të cilin ishte parë duke pirë kafe në një lokal.

Ndryshe, Gazeta ka siguruar listën me emrat e 12 zyrtarëve të ATK-së, të cilët tashmë ndodhen nën masën e ndalimit policor, bashkë me biznesmenin prizrenas, Feim Pulaj. Ndërsa biznesmeni llapjan, Bedri Batatina, është shpallur në kërkim policor, pasi i njëjti nuk është hasur në pronat e tij gjatë bastisjes së sotme.