VMRO DPMNE thotë se meqenëse kryeministri nuk iu përgjigj kërkesave, mbetet opsioni i vetëm – zgjedhje të parakohshme parlamentare. Këtë e ka konfirmuar lideri i partisë Hristijan Mickoski i cili tha se LSDM nuk ka përgjigje për të dyja opsionet dhe se zgjidhja e vetme janë zgjedhjet. Për ndryshimet kushtetuese, përkatësisht nëse partia do t’i votojë ndryshimet dhe pastaj të ketë zgjedhje, VMRO DPMNE u përgjigj:
“Qëndrimi i VMRO-DPMNE-së është i saktë dhe konsistent– ndryshimet kushtetuese nën diktimin bullgar nuk do të ndodhin dhe ne nuk do t’i pranojmë. Qeveria nuk ka shumicë dhe prandaj zgjidhja e vetme janë zgjedhjet e parakohshme për të shpëtuar Maqedoninë”, Marija Miteva– zëdhënëse e VMRO-DPMNE-së.
Nga ana tjetër, socialdemokratët akuzuan se ndryshimi i shpeshtë i qëndrimeve të Mickoskit nuk flet mirë për të. Partia ritheksoi se është mirë që të miratohen ndryshimet kushtetuese, me të cilat do të hidhet poshtë teza bullgare për një komb në dy shtete dhe në të njëjtën kohë do të vazhdojë procesi i anëtarësimit të Maqedonisë në BE.
“Mickoski ka mundësi për t’iu bashkuar procesit të realizimit të qëllimit strategjik të anëtarësimit në BE. Nëse e lëshon këtë rast, atëherë patjetër do të mbahet mend si peng i Apasievit, si politikan që gjithmonë, pa përjashtim, nuk ka përkrahur asnjë vendim për të ardhmen e vendit dhe ka bërë gjithçka për të ndalur përparimin e vendit”- LSDM
Zëdhënësi i LSDM-së, Darko Kaevski, paraprakisht theksoi se procedura për ndryshimet kushtetuese pritet të hyjë në Kuvend në gjysmën e parë të muajit të ardhshëm, përkatësisht në 10 deri në 15 ditët e ardhshme kurse votimi i parë për të cilin nevojiten shumica prej dy të tretave, duhet të jetë në fund të korrikut.
Më herët, krye-parlamentari Talat Xhaferi ka theksuar se Kuvendi është i gatshëm të punojë edhe në gusht, nëse kryhet procesi i ndryshimeve kushtetuese, edhe pse deputetët janë paraparë të jenë për pushime atëherë.
Sipas informacioneve, për dy propozimet e VMRO-DPMNE-së, Mickoski ka qenë i gatshëm të hyjë në Qeveri, por pa pjesëmarrjen e BDI-së, dhe se ndryshimet e mundshme kushtetuese duhet të vlejnë nga momenti i ratifikimit të marrëveshjes për hyrjen e Maqedonisë së Veriut në BE.
Propozimi i dytë i liderit të VMRO-DPMNE-së që ai e përmendi ishte që në vjeshtë të shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe deri atëherë të formohet qeveri e koalicionit të gjerë kombëtar pa BDI-në. Por me kusht që humbësi në zgjedhje të mbështesë fituesin dhe të kërkohet garanci nga BE për identitetin maqedonas.. /alsat.mk