Zëvendësministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri, ka thënë se numri i qytetarëve serbë që janë të kënaqur me punën aktuale të kryetarëve është në rritje.
Ai këtë thotë se e ka parë gjatë vizitave atje.
“Nga ajo çka unë kam mundur ta kuptojë nga vizitat e shpeshta atje është në rritje numri i qytetarëve serbë që kanë besim të kryetarët aktual dhe se janë të kënaqur me performancen e muajve të fundit”, ka thënë Vokrri.
Duke folur për nisjen e mbledhjeve të peticioneve për shkarkimin e kryetarëve shqiptar në veri, ai ka thënë se kanë informacione se po bëhet presion ndaj disa qytetarëve për ta nënshkruar.
“Për të dhënë nënshkrimin e tyre një pjesë edhe kanë vullnet, por një pjesë e madhe do të ndihen të shtrënguar përmes shantazhimit të vendeve të punës që paguhen nga Serbia dhe me benificione të tjera. Kemi informata që është duke u bërë presion verbal mbi një pjesë të punëtoreve të administratës së më hershme dhe atyre që aktualisht janë duke shkuar në punë në institucione arsimore e shëndetësore”, ka thënë Vokrri.
Ai ka thënë se nëse vërtetohet që ka pasur presion ndaj qytetarëve për të dhënë nënshkrime, sipas Udhëzimit Administrativ ato nënshkrime do të refuzohen.
Vokrri ka thënë se nisja nga qytetarët për shkarkimin e kryetarëve në veri do të jetë precedent edhe për shkarkimin e kryetarëve në komunat tjera.