Sot Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të publikojë listën e ndryshuar të qendrave të votimit për organizimin e votimit “për” apo “kundër” shkarkimit të kryetarëve të komunave në veri të Kosovës, që do të mbahet më 21.04.2024, pasi që shumica prej tyre nuk do të hapen për shkak të refuzimit nga drejtorët e shkollave.
Sipas burimeve të medias në listën e re të qendrave të votimit përfshihen edhe qendrat alternative të votimit (kontejnerët).
Se kjo mund të ndodhë në një formë e ka thënë edhe kryesuesi i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, në një përgjigje për kallxo tha se kanë gjetur zgjidhjet alternative dhe po përgatisin raportin që do të miratohet nga KQZ-ja.
“Si zgjidhje alternative kemi gjetur objekte publike që i përkasin administratës së komunës” , tha ai.
Lokacionet e sakta, sipas tij, do të bëhen të ditura tek pas miratimit nga KQZ.
Ndryshe, 33 drejtorë të shkollave në katër komunat veriore të Kosovës kanë refuzuar ofrimin e objekteve. Kështu tha Burim Ahmetaj, kryesues i Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në mbledhjen e 25-të që u mbajt më 17.04.2024. Ahmetaj tregoi se vetëm 10 shkolla janë të qasshme për t’u përdorur si vendvotime.
Arsyetimet e drejtorëve të shkollave, sipas tij kanë qenë se më 21 prill tashmë janë planifikuar aktivitete shkollore, kulturore e të tjera.
Ahmetaj tregoi se lidhur me këtë çështje kanë ftuar në takim kryetarët e komunave, drejtorët e arsimit dhe drejtorët e shkollave, ku këta të fundit nuk kanë marrë pjesë.
“Pas dorëheqjes së anëtarëve të KKZ-së, përfaqësuesve të Listës Serbe, nga data 6 prill e tutje, KKZ nuk ka mundur të komunikojë me disa drejtorë të shkollave. Kemi pasur qasje refuzuese me pretendimin se shkollat nuk do të lejohen për t’u përdorur si qendra të votimit në këto komuna” – tha Ahmetaj.
Qytetarët e katër komunave veriore, Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Zveçanit e Leposaviqit do të votojnë të dielën, më 21.04.2024 nëse janë për apo kundër shkarkimit të kryetarëve të komunave përkatëse.
Ky votim vjen pas nënshkrimit të peticioneve për shkarkimin e tyre në fillim të këtij viti.
Kryetarët shqiptarë në komunat e veriut morën pushtetin në këto komuna në fund të muajit maj 2023, por qytetarët serbë të cilët i bojkotuan zgjedhjet lokale të prillit nuk i pranuar rezultatet e tyre. Pas vendosjes së tyre në objektet komunale, në veri të vendi shërthyen tensionet dhe dhuna.