Të dielën e 21 prillit qytetarët në katër komunat veriore do t’i drejtohen kutive të votimit për të votuar pro ose kundër shkarkimit të kryetarëve aktualë.
Lidhur me organizimin e këtij procesi, KQZ po vazhdon përgatitjet.
Zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi, tha se ky institucion nesër do të mbajë mbledhjen e radhës.
Gjatë kësaj mbledhje pritet që të bëhet miratimi i dizajnit dhe përmbajtjes së fletëvotimeve.
Elezi tha se KQZ do të vendosë se cila do të jetë pyetja që do të parashtrohet në fletëvotim.
“Miratimi i dizajnit dhe përmbajtjes së fletëvotimeve të cilat do të përdoren në procesin e votimit për apo kundër largimit të kryetarëve të komunave nga funksioni i tyre është paraparë të bëhet në mbledhjen e radhës të KQZ-së, e cila është planifikuar të mbahet të mëkurën, më 3 prill. Se cila do të jetë pyetja konkrete që do të parashtrohet në fletëvotim, sigurisht se për këtê do të vendos KQZ-ja”, tha Elezi për Express.
Në zgjedhjet e fundit që u mbajtën në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, fitues dolën kandidatët shqiptarë nga PDK e VV, mirëpo mbajtja e zgjedhjeve të reja ka qenë kërkesë e vazhdueshme e ndërkombëtarëve.
Kështu, krerët e shtetit u pajtuan që rruga që duhet ndjekur është përmes peticionit, i cili u organizua në katër komunat dhe rezultoi i suksesshëm.
Pasi u mblodhën nënshkrimet e nevojshme, KQZ nisi përgatitjen për organizimin e procesit të votimit dhe si datë u caktua 21 prilli. Për shkarkimin e Erden Atiq, Lulzim Hetemit, Ilir Pecit dhe Izmir Zeqirit nevojiten 50%+1 votë. /GazetaExpress