Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Votimi për anëtarësimin e Kosovës në KiE ende s’ka hyrë në agjendën e Komitetit të Ministrave

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës i ka bërë thirrje më 16 prill Komitetit të Ministrave që ta pranojë Kosovën si pjesëtare të saj. Megjithatë, kjo temë ende s’është futur në agjendën e Komitetit të Ministrave.

Para një jave, me një shumicë dërrmuese të votave, deputetët e Asamblesë Parlamentare të KiE miratuan raportin që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës.

Tashmë kur çështjes do t’i japë epilog organi vendimmarrës i KiE, në një përgjigje për Gazetën Express, shërbimi për shtyp i Këshillit të Europës ka konfirmuar se tash për tash kërkesa e Kosovës nuk është futur në agjendë.

“Rreth pyetjes suaj rreth shqyrtimit të aplikacionit të Kosovës, në këtë fazë nuk është në agjendën e Komitetit të Ministrave”, thuhet në përgjigje.

Në deklaratën optimiste të tij në ditën kur Asambleja votoi pro anëtarësimit të Kosovës, kryeministri Albin Kurti tha se kërkesa e Kosovës do të shqyrtohet gjatë muajit maj në takimin e Komitetit të Ministrave.

“Asambleja Parlamentare i thotë PO Kosovës. Jemi edhe një hap më afër dhe vetëm një hap larg anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Faza e radhës dhe e fundit që na pret është ministeriali në muajin maj”.

Kurti kishte thënë se është optimist fazën e fundit “meqenëse që nga viti 1951, Komiteti i Ministrave nuk ka marrë vendim ndryshe nga Opinioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës”.

Ai më pas ishte zotuar se do të vazhdohet puna që i gjithë procesi të përmbyllet me sukses.

Raportuesja greke, Dora Bakoyannis, që hartoi raportin që rekomandon anëtarësimin e Kosovës kishte shprehur entuziazmin për mbështetjen që i dhanë kolegët e saj raportit.

“Ata [anëtarët e APKE] votuan me një shumicë të jashtëzakonshme raportin tim që nënkupton se raporti është pozitiv për te Komiteti i Ministrave. Ata kërkuan opinionin tonë dhe opinioni ynë është pozitiv. Ne besojmë që ajo vrimë e vogël e zezë në zemrën e Evropës duhet të mbyllet edhe dy milionë njerëz të tjerë do të kenë mbrojtjen e Këshillit të Evropës, mbrojtjen për të drejtat e njeriut, të drejtat fetare dhe sigurisht mundësinë që të shkojnë në Gjykatën Evropiane në rast se këto të drejtat shkelen”, kishte thënë ajo.

Bakoyannis thotë se Kosova edhe nëse hyn në Këshill të Evropës do të ketë një rrugë të gjatë, duke përmendur zotimet që i ka marrë që nga momenti i parë. Ajo kishte thënë se në këtë rast do të jetë në llupën e tyre.

12 nga 46 shtetet anëtare të Këshillit të Europës nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Megjithatë, jo të gjithë deputetët e këtyre vendeve e kundërshtuan anëtarësimin e Kosovës gjatë votimit në Asamblenë Parlamentare.