Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi vendimin për Hygerta Metën, Hysen Metën dhe Amarildo Metën, të cilët dyshohet se vranë të atin e tyre dhe e groposën në kasollen pranë banesës së tyre në Shënavlash të Durrësit.
Tre fëmijët e viktimës, Pëllumb Meta kishin ankimuar vendimin e Gjykatës së Durrësit që i la në qeli.
Hygerta, Hysen dhe Amarildo kishin kërkuar ndryshimin e vendimit dhe caktimin e një mase sigurimi personal atë të “detyrimit për tu paraqitur në policinë gjyqësore”.
Por, Apeli vendosi të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës së Durrësit, duke lënë në burg tre të rinjtë.
Pëllumb Meta u gjet i groposur në kasolle më 23 shkurt, 10 ditë pasi djali i tij i madh Hysen Meta e kishte raportuar në polici të zhukur. I riu kishte deklaruar para uniformave blu se i ati ishte zhdukur me datën 10 shkurt, ditë edhe kur u krye krimi makabër.
Viktima është qëlluar me armë zjarri, ndërsa si autor i dyshuar është Hysen Meta, por kjo gjë është mohuar nga i riu. Ndërsa krimin e ka marrë përsipër 19-vjeçarja, Hygerta Meta e cila ka deklaruar se ishte ajo që e vrau babain. Ndërkohë mbetet ende mister arsyeja e vrasjes së Pëllumb Metës.
Njoftimi i Gjykatës së Apelit:
Referuar interesimit të medias, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:
Nga aktet e ndodhura në dosje rezulton se, më datë 13.02.2024, rreth orës 22:30, shtetasi me iniciale H.M, banues në fshatin Shën Vlash, Durrës, është paraqitur në Komisariatin e Policisë Durrës dhe ka bërë kallëzim se babai i tij shtetasi me iniciale P.M banues në Shën Vlash, Durrës, është larguar nga banesa me datë 10.02.2024 dhe nuk është kthyer më. Në vijim të veprimeve hetimore, u gjet trupi i pajetë i shtetasit P. M, të dyshuar për kryerjen e kësaj vepre penale janë fëmijët e tij.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, ka zhvilluar gjykimin lidhur me vlerësimin e ligjshëm të arrestimit dhe caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg”, ndaj personave nën hetim shtetasve me iniciale H. M, H. M dhe A. M, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe ”Fshehja ose asgjesimi i kufomës” e kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 79/c, 278/4, 303 e 25 të Kodit Penal.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, me vendimin nr. 127/1 Regj.Them, datë 26.02.2024, ka vendosur:
Të vlerësojë të ligjshëm arrestimin në flagrancë të shtetasit M, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Fshehja ose asgjësimi i kufomës” e kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 79/c, 278/4, dhe 303 e 25 i K.Penal.
Të caktojë ndaj shtetasit M masën e sigurimit personal “Arrest me burg”, parashikuar në nenin 238 të Kodit të Procedurës Penale.
Të vlerësojë të ligjshëm arrestimin në flagrancë të shtetases M, e dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”; “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”, e kryer në bashkëpunim te parashikuara nga nenet 79/c, 303 e 25 i K.Penal.
Të caktojë ndaj shtetases M masën e sigurimit personal “Arrest me burg”, parashikuar në nenin 238 të Kodit të Procedurës Penale.
Të vlerësojë të ligjshëm arrestimin në flagrancë të shtetases M, e dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”; “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”, e kryer në bashkëpunim te parashikuara nga nenet 79/c, 303 e 25 i K.Penal.
Të caktojë ndaj shtetases M masën e sigurimit personal “Arrest me burg”, parashikuar në nenin 238 të Kodit të Procedurës Penale.
Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimeve të bëra, nga personat nën hetim me iniciale H. M dhe A. M, të cilët kërkuan ndryshimin e vendimit caktimin e një mase sigurimi personal atë të “detyrimit për tu paraqitur në policinë gjyqësore”.
Në përfundim të gjykimit, sot më datë 02.04.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtare Znj. Alma Kolgjoka, vendosi:
Miratimin e vendimit nr. 127/1 Regj., datë 26.02.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës