Përgjatë gjithë 24 orëshit, territori shqiptar do të mbizotërohet nga kushte të paqëndrueshme atmosferike, duke bërë që vranësira e dendura herë pas here të pësojnë zhvillim duke gjeneruar shira me intensitet mesatar dhe të lartë.
Parashikohet që pjesa e dytë e ditës të sjellë zhvillim të mëtejshëm të vranësirave në të gjithë vendin duke gjeneruar rrebeshe afatshkurta shiu në të gjithë ultësirën perëndimore, edhe në zonat malore reshjet do të jenë në formë shiu dhe jo dëbore.
Ndërkohë, temperaturat e ajrit do të pësojnë rritje të ndjeshme në orët e mëngjesit duke bërë që temperaturat minimale të jenë deri në 6°C në zonat malore ndërsa ulen maksimalet duke regjistruar vlerën maksimale deri në 21°C përgjatë vijës bregdetare.
Era do të fryjë mesatare deri e fortë përgjatë gjithë ditës duke arritur shpejtësinë deri në 40 km/h nga drejtimi permanent Verior, për pasojë në brigjet e Adriatikut dhe Jonit do të gjenerohet dallgëzim 3 ballë.
Kosova
Pjesa më e madhe e territorit të Kosovës do të jetë nën dominimin e kushteve të paqëndrueshme atmosferike, duke bërë që të ketë mbizotërim të vranësirave dhe shirave, ku herë pas here do të jenë rrebeshe. Më të dukshme reshjet priten në zonat veriore dhe veriperëndimore. Ndërsa në vijim do të theksohen vranësirat dhe reshjet në të gjithë republikën e Kosovës. Temperaturat e ajrit do të pësojnë rritje në mëngjes por ulen sërish në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 6°C deri në 15°C. Era do të fryjë mesatarisht me shpejtësi deri në 45 km/h nga drejtimi permanent verior.
Maqedonia e Veriut
Republika e MV do të paraqitet nën ndikimin e vranësirave të shpeshta në pjesën më të madhe të territorit, ku herë pas here vranësirat do të pësojnë zhvillim duke gjeneruar reshje shiu e dëbore në zona të izoluara. Po ashtu orët e pasdites do të sjellin mbizotërim të vranësirave dhe shirave në pjesën më të madhe të MV, ku më të theksuara reshjet do të jenë në zonat Jugore dhe Jugperëndimore të republikës së MV. Për sa i përket temperaturave të ajrit do të pësojnë rritje gjatë orëve të mëngjesit por mesdita sjell rënie të tyre duke luhatur vlerat ditore nga 6°C deri në 17°C vlera më e lartë në rang vendi. Ndërkohë; Era do të fryjë mesatare përgjatë gjithë ditës duke arritur shpejtësinë maksimale mbi 40 km/h nga drejtimi permanent verior.
Europa
Si pasojë e një sistemi të fuqishëm vranësirash që ka përfshirë brigjet Veri – Veriperëndimore të kontinentit do të diktojë kushtet e paqëndrueshme atmosferike në Britaninë e madhe, Alpet e Europës si edhe rajonin e Ballkanit duke sjellë reshje të dendura shiu dhe erëra të forta. Po ashtu, gadishulli i Skandinavisë do të paraqitet me reshje të dendura shiu si edhe mini-stuhi ere ndërsa moti i kthjellët do të mbizotërojë në; Europë Jugperëndimore, pjesërisht qendrën e kontinentit si edhe vendet e Europës Lindore.