Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

“Vrasësi” i Smajl Hajdarajt dy ditë para vrasjes i kishte kërkuar gruas së tij që t’ia ndezë cigaren me flakën e qiririt

 
   

Një prej vrasjeve më tronditëse të pasluftës në Kosovë ndodhi saktësisht 22 vjet më parë, më 17 janar 2002, kur ish-deputeti i LDK-së, Smajl Hajdaraj, u qëllua për vdekje në hyrje të banesës së tij në Pejë.

Dy ditë para vrasjes, bashkëshortja e tij e priste në hyrje të banesës me një qiri në dorë, për shkak të reduktimeve të energjisë elektrike.

Në emisionin “Mendje Kriminale”, djali i tij, Shpëtimi, tregoi se një person iu afrua nënës së tij (gruas së Smajlit) dhe i kërkoi të ndizte cigaren në flakën e qiririt. Pasi Smajl Hajdaraj arriti në vendin e ngjarjes, personi u largua shpejt duke u ngjitur shkallëve.

“Porsa vjen Smajli ai largohet hypë shkallëve përpjetë sepse banesa i kishte pesë kate. Edhe Smajli e pyet nënën a e njofte këtë person thotë jo, hera e parë që po e shoh. Ti a e njofte Smajl, ky i thotë jo se njofta por po e di që për mua kanë ardhur, këtë fjalë ja thotë”, ka thënë djali i Smajl Hajdarajt në “Mendje Kriminale”.

Më 17 janar, rreth orës 20:00, Smajl Hajdaraj u vra me 11 plumba nga dy armë në hyrje të banesës së tij. Shpëtimi tregoi se prita ishte organizuar në errësirë nga dy persona që e prisnin në hyrje të ndërtesës.

“Duke hyrë brenda në hyrje të banesës aty kishte qenë prita e organizuar, dy persona në hyrje ishte terr, si ka hyrë në hyrje si i ka kalu 3-4 shkallë prej pllatos për me hy, si ka hy aty ata dy persona kanë qenë në pritë, edhe aty ka ndodhur vrasja”, ka thënë Shpetimi.

“Nuk është pa por vetëm i ka dëgjuar krismat, edhe menjëherë si i dëgjon krismat zbret te poshtë e thotë një fjalë “uu Smajl a të vrajtën, faktikisht e ka ditur se është Smajli.”