Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë kundër, Dibran Hoxhajt i njohur si “Kobra”, dhe katër të pandehurve të tjerë, të dyshuar për vrasjen e të riut nga Kukësi, Visart Cengu.
Sipas prokurorisë, Hoxhaj akuzohet për veprën penale “Vrasje e rëndë” si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Të pandehurit R.S dhe B.M akuzohen për veprën penale “Manipulimi me prova”, ndërsa R.S, J.B dhe A.V. akuzohen për veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje”.
“Po ashtu, të pandehurit R.S dhe J.B akuzohen se e kanë kryer veprën penale ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’”, thuhet më tej në njoftimin për media.
Vrasja e 31-vjeçarit nga Kukësi me inicialet Visart Cengu ndodhi në orët e para të 3 janarit 2023, në lokalin “Kobra City” në Prizren, pronar i së cilës është, Dibran Hoxhaj.
Në dosjen e Prokurorisë thuhet se ekziston dyshimi i bazuar mirë se Hoxhaj ka shtënë në drejtim të makinës, cila ndodhej në parkingun e lokalit të tij “Kobra City”.
Policia gjatë kontrolleve në lokalin e ‘Kobrës’ ka gjetur sende ilegale, në vendngjarje janë gjetur edhe një granatë dore dhe disa fishekë të njërit prej të dyshuarve.