Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Vrasja e 39-vjeçarit në Skënderaj, Prokuroria: Autorët ende s’janë identifikuar, kanë qenë të maskuar

Në orët e para të mëngjesit, një ngjarje e rëndë ka tronditur komunën e Skënderajt. Një person ka vdekur dhe tre të tjerë janë lënduar si pasojë e të shtënave me armë zjarri në një lokal në Runikë të Skenderajt.

Lidhur me rastin, Prokuroria Themelore në Mitrovicë, zëdhënësi Valon Preteni ka thënë se ende nuk kanë arritur të identifikohen të dyshuarit, pasi të njëjtit kanë qenë të maskuar.

“Prokurorja ka qëndruar 3-4 orë në vendin e ngjarjes. Ajo çka dihet është se një person ka mbetur i vrarë, dy persona të dyshuar kanë qenë me maska sipas dëshmitarëve. Ende nuk janë identifikuar personat pasi që kanë qenë me maska, mirëpo jemi duke ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore”, ka thënë Preteni.

Siç ka bërë të ditur policia, nga hetimet e para dhe këqyrja e vendit të ngjarjes, dyshohet se dy persona të dyshuar e të maskuar kanë hyrë brenda në kafiteri kanë shtënë me armë dhe janë larguar në drejtim të panjohur. Në cilësi të provave materiale në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar disa gëzhoja.

“Rreth orës 01:21, të datës 10 gusht 2023, policia ka marrë informatën për të shtëna me armë zjarri në një kafiteri në fshatin Runikë të Skenderajt. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e nevojshme policore dhe ekipi mjekësor.

Bazuar në hetimet fillestare, nga arma e zjarrit lëndime kanë pësuar katër persona, njëri nga të lënduarit viktima N. L., 39 vjeçar, ka ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa, tre persona të tjerë të lënduar ( po ashtu nga arma e zjarrit ) janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK.
Nga hetimet e para dhe këqyrja e vendit të ngjarjes, dyshohet se dy persona të dyshuar e të maskuar kanë hyrë brenda në kafiteri kanë shtënë me armë dhe janë larguar në drejtim të panjohur. Në cilësi të provave materiale në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar disa gëzhoja.

Gjitha veprimet e ndërmarra policore, janë udhëhequr nga prokurori i rastit i cili ka dalë në vend të ngjarjes ndërsa i njëjti ka autorizuar që trupi i pajetë i viktimës të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore .

Hetuesit e Sektorit Rajonal , janë duke punuar intensivisht për identifikimin dhe arrestimin e kryesit/ve të veprës si dhe zbardhjen e kësaj vepre penale”, kanë thënë nga Policia për Reporteri.net.