Media ka publikuar pamje nga vendi i ngjarjes, aty ku tragjikisht u vra në moshë të re, Liridona Murseli, gruaja e këshilltarit të Behgjet Pacollit, Naim Murseli.
Policia ka qëndruar gjatë aty dhe ekipet e tjera të nevojshme për zbardhjen e tragjedisë.
Policia ka kontrolluar në detaje skenën e krimit, gjithashtu nga aty u largua edhe një veturë.
Dyshimet e para për këtë ngjarje tragjike lidhen me grabitje.
Sipas burimeve, në këtë ngjarje dyshohet se janë përfshirë dy persona, por të njëjtit nuk janë identifikuar akoma.
Prokuroria Themelore e Prishtinës njoftoi se po ndërmerren veprime hetimore për zbardhjen e rrethanave të vrasjes së gruas të mërkurën në Prishtinë.
Ish-presidenti i vendit, Behgjet Pacolli, e quajti tragjedi e lajm të tmerrshëm vrasjen e gruas së këshilltarit të tij, Naim Murseli.
Ai ka publikuar foton e çiftit, duke theksuar se ndan dhimbjen me familjen e së ndjerës, Liridonës.
Prokuroria tha se në vendin e ngjarjes doli edhe prokurori kujdestar për t’i kuptuar rrethanat e vrasjes së gruas.
“Ju njoftojmë se me të marrë informatën nga policia, prokurori kujdestar ka dalë në vendin e ngjarjes, si dhe të gjitha njësitë relevante. Nga informacionet preliminare dyshohet se si pasojë e të shtënave me armë zjarri ka ndërruar jetë një grua, ku vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor. Nga vendi i ngjarjes janë duke u ndërmarrë veprime hetimore në koordinim me policinë, për t’i ndriçuar të gjitha rrethanat e këtij rasti”, ka njoftuar prokuroria.
Vrasja e gruas në moshë të re ka ndodhur të mërkurën rreth orës 20:20, teksa viktima është gjetur në një veturë.
Vdekjen e saj e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes.