Avokati Arbër Jashari, foli në lidhje me vrasjen e bashkëshortes së ish-këshilltarit të Behgjet Pacollit, Naim Murseli.
Në një intervistë për Euronews Albania ai theksoi se ngjarja ka ndodhur në dalje të Prishtinës në një lagje që nuk ka as kamera sigurie dhe as shtëpi afër.
Sipas tij vetura që ka ardhur drejt Murselit dhe familjes së tij ka qenë me targa të huaja dhe se dyshohet se kanë qenë dy persona të përfshirë në ngjarje.
Ai nënvizoi se nuk dihen ende arsyet e sakta, por familja Murseli kishte një gjendje shumë të mirë ekonomike dhe kohët e fundit kishin blerë një shtëpi në Prishtinë ku dhe kishin menduar të jetonin.
“Ngjarja ka ndodhur në dalje të Prishtinës, është një katun ngjitur me Prishtinën, është një zonë e zhvilluar që ka shumë restorante luksoze. Rruga nuk ka kamera dhe as shtëpi afër. Është zonë e qetë. Të gjitha këto paraqesin komplikime për policinë. Është thënë që ka qenë një veturë me targa të huaja që është larguar. Është përmendur për dy persona, të cilët kanë ndalë veturën dhe pasi kanë marrë paratë dhe telefonat kanë shtënë mbi bashkëshorten.
Bashkëshorti i të ndjerës ka qenë ish-këshilltar i Pacollit, nuk e di tani se çfarë pune bën. Di që ishte një familje e pasur me kushte të mira materiale, që ka jetuar dhe jashtë. Këta kanë blerë një shtëpi kohëve të fundit në Prishtinë dhe ishin në proces për të jetuar këtu”-tha ai.
33-vjeçarja është vrarë nga grabitës rreth orës 20:26 të mbrëmjes së të mërkurës (29 Tetor).
Liridona Murseli po udhëtonte me bashkëshortin dhe dy fëmijët e tyre në rrugën Dlip Alshiq në kryeqytetin e Kosovës kur dyshohet se një person i panjohur i ka ndaluar dhe u ka kërkuar sendet me vlerë.
Naim Murseli ka arritur të largohet nga makina me dy djemtë, ndërsa 33-vjeçarja është qëlluar për vdekje, sipas raportimeve.