Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Vrasja e policit serb rikthen tensionet, ja çfarë fshihet pas propagandës së Beogradit – paralajmërohet eskalim i ri

 
   

Serbia mesa duket nuk humbet asnjë rast për të goditur Kosovën, edhe kur rasti nuk është i lidhur me politikën. I tillë është rasti i fundit, vrasja e një zyrtari policor serb dhe plagosja e kolegut të tij në territorin e Serbisë në afërsi të kufirit me Bosnjë e Hercegovinën. Autoritetet serbe pretendojnë se në vendin e ngjarjes është gjetur një pasaportë e Kosoves dhe një letërnjoftim gjerman me emër të Artan Hajrizit. Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiç, ka thënë se janë duke punuar intensivisht për ta identifikuar nëse vrasësi i policit në Loznicë është personi të cilit iu gjetën dokumentet, Artan Hajrizi apo vëllai i tij Fatoni, i cili u arratis nga burgu në Kosovë më 6 korrik. Por ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që mund të jetë edhe identitet i rremë.

“Po përcaktojmë nëse vrasësi është personi të cilit i kemi gjetur dokumentet apo është vëllai i tij. Ka mundësi që të jetë një identitet i rremë. Do të kuptohet se kush dhe si e mori të dyshuarin në Preshevë, si ka hyrë në Serbi pa u regjistruar e kështu me radhë, të gjithë do të arrestohen”, deklaroi Daçiç. Megjithatë, deklaratat nga qeveria e Beogradit, janë konsideruar edhe të tepruara, dhe dukshëm tendencioze.

Akuzat e Serbisë

Fillimisht, ishte zëvendëskryeministri i Serbisë, një herë ministri i Brendshëm, Ivica Daçiç, ai që tha se vrasja e një zyrtari policor në Lloznicë dyshohet të jetë akt terrorist. “Policia gjermane duhet të përgjigjet urgjentisht nëse Fatoni ka qenë në Hanover dhe si ka hyrë e ka dalë dhe si ka pse në Preshevë dhe me çfarë qëllimi? Pasoja e atij akti dhe organizimi terrorist është vrasja e një policie për këtë kërkojmë dhe presim të gjithë me policinë gjermane dhe EULEX-in, jo gënjeshtra që askush nuk i beson”, tha Daçiç. Ndërsa Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, duke folur për këtë ka thënë se është duke e “verifikuar” lajmet jozyrtare që ka marrë nga Kina. “Tani po i verifikoj disa lajme jozyrtare që kam marrë nga Kina, shpresoj se gjithçka do të jetë mirë”, tha Vuçiç.

Reagimet nga Prishtina

Për vrasjen e policit serb është pyetur në një konferencë për media edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ai ka thënë se nuk ka për të shtuar asgjë përveç asaj që është publike për këtë rast dhe që organet e sigurisë në Kosovë po grumbullojnë informacione. Ai ka bërë thirrje që të mos politizohet ky rast. “Autoritetet tona kompetente, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Punëve të Jashtme, Policia, do ta informojnë publikun për gjendjen aktuale se ku jemi dhe çfarë duhet bërë në të ardhmen. Edhe unë pres që të japin deklaratat e tyre profesionale, sepse ne besojmë se kjo çështje nuk duhet të politizohet, por të trajtohet si e tillë, nga pikëpamja e sigurisë, ligjore dhe profesionale”, ka thënë Kurti. Sakaq, Ministria e Jashtme e Kosovës ka thënë se po ndjek nga afër zhvillimet përmes Zyrës Ndërlidhëse në Beograd.

“Goditja” e Kosovës

Rast të izoluar dhe që s’duhet të politizohet po e cilësojnë njohësit e çështjeve të sigurisë vrasjen e një zyrtari policor serb. Sipas tyre, ky rast mund të shfrytëzohet nga autoritetet serbe për ta goditur Kosovën, por që kjo “s’duhet të ketë ndikim”.

Këshilltarja në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracisë, analistja dhe njohësja e zhvillimeve në Ballkan, Ivana Stradner, ka komentuar zhvillimet dhe ka kërkuar nga Perëndimi që të mos bien në propagandën e Serbisë. Në një postim në platformën X, ajo ka thënë se Rusia dhe Serbia ka kohë që kanë qenë duke i krijuar kushtet informative për “grupet wahabi” në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë.

“Ministri i brendshëm i Serbisë sapo njoftoi për një tjetër ‘sulm terrorist’ të ndodhur në Serbi. Gjithashtu, Rusia dhe Serbia ka javë që po i krijojnë kushtet informative për ‘grupet wahabi’ në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë”.“Shumë në Perëndim nuk dinë t’i lidhin pikat…”, shkroi ajo. Më herët gjatë ditës, Stradner bëri edhe një postim për “propagandën serbe” që thotë se “Kosova dhe Bosnje e Hercegovina po përgatiten për një luftë kundër Serbisë”. “Në të vërtetë, është qeveria e Serbia ajo që po përgatitet për një eskalim të ri në Ballkan”, deklaroi Stradner.