Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Vrasja që ndodhi vitin e kaluar në Rahovec, babë e bir dënohen me 36 vjet burgim

 
   

Gjykata Themelore në Gjakovë i ka shpallur fajtorë babë e bir, Enver dhe Emir Sylkën dhe i ka dënuar me 36 vjet burgim (së bashku) për vrasjen e N.V., në shtator të vitit të kaluar në Rahovec.

Aktgjykimi u shpall të hënën nga kryetari i trupit gjykues, Sulltan Dobraj.

Sipas aktgjykimit, i akuzuari Emir Sylka për veprën penale të “Vrasjes së rëndë” është dënuar me 22 vjet e 6 muaj burgim, ndërsa për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” është dënuar me 1 vit burg. Ndaj tij, gjykata ka shqiptuar dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 23 vitesh, shkruan Betimi për Drejtësi.

Ndërsa, i akuzuari Enver Sylka për veprën penale “Vrasje e rëndë në shtytje” është dënuar me 13 vjet burgim.

Të akuzuarve, në dënimin e shqiptuar do t’iu llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Të njëjtëve, gjykatësi Dobraj bëri të ditur se iu vazhdohet paraburgimi.

Palët e dëmtuara janë udhëzuar në kontest civil për realizimin e kërkesës pasurore-juridike.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 31 janar 2024 nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, Emir Sylka akuzohej se më 19 shtator 2023, në Rahovec, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin N.V., dhe vuri në rrezik jetën e të dëmtuarit L.V.

Në aktakuzë thuhet se Emir Sylka ditën kritike ishte duke punuar në lokalin e tij, kur u telefonua nga babai i tij, i pandehuri Enver Sylka, i cili i tregoi lidhur me fjalosjen me të dëmtuarin L.V., dhe e ftoi të shkonte në pronën e tyre. I pandehuri Emir mori veturën e tij dhe shkoi me shpejtësi në vendin e lartpërmendur, ku së bashku me të pandehurin Enver shkuan drejt rrugës për te dera e të dëmtuarëve duke bërtitur “dilni jashtë”. Prapa tij ishte i pandehuri Enver dhe afër stallës dolën të dëmtuarit N.V., dhe L.V. Posa afrohen te dera e oborrit të tyre, i pandehuri Emir filloi të shante dhe bërtiste me fjalët “a po doni me fol tash a po jav q… nonen”. Në këto momente, i ndjeri N.V., mori një shkop druri dhe filloi sulmi.

Sipas aktakuzës, në ato momente i pandehuri Enver i drejtohet të pandehurit Emir me fjalët “gjuj, gjuj”, dhe menjëherë i pandehuri Emir nxjerr nga brezi dhe shtie katër herë në drejtim të të dëmtuarve, duke e goditur N.V,. në pjesën e gjoksit, i cili për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, u dërgua për trajtim në QKUK në Prishtinë dhe më 22 shtator 2023 ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra. Ndërsa, të dëmtuarin L.V. e goditi në këmbë, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, dhe më pas dy të pandehurit me qetësi u futën në veturat e tyre dhe u larguan nga vendi i ngjarjes.
Me këtë, Emir Sylka akuzohej se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.5 i Kodit Penal.

Gjithashtu, Emir Sylka ngarkohej edhe për armëmbajtje pa leje, pasi kishte poseduar armën e tipit revole e prodhimit turk SUB Elite 9mm, me të cilën ka kryer veprën penale të lartcekur dhe e mbajti atë në mënyrë të kundërligjshme dhe pa leje nga organet kompetente. Me këtë, ngarkohej se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, paragrafi 1 i Kodit Penal.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Enver Sylka akuzohej se më 19 shtator 2023, me dashje ka shtyrë djalin e tij, të pandehurin Emir Sylka, për të kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” ndaj të ndjerit N.V., si dhe duke vënë në rrezik jetën e të dëmtuarit L.V.

Në aktakuzë thuhet se pas një mosmarrëveshjeje që kishte pasur në pronën e tij me të dëmtuarin L.V., për këtë mosmarrëveshje disavjeçare ishte i njoftuar edhe i pandehuri Emir. Ashtu që, i pandehuri Enver e telefonoi djalin e tij, Emirin, duke i thënë se “erdh L.V. dhe më kërcënoi se ti nuk guxon me vazhdu me punu dhe ka ardhur edhe vëllai i tij N.V.”. I pandehuri Emir, i pajisur me armë, erdhi me shpejtësi me veturën e tij dhe shkoi në vendin e lartcekur.

Për këtë, Enver Sylka akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë në shtytje”, nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.5 lidhur me nenin 32, paragrafi 1 të Kodit Penal.