Tre djem të liderit politik të Hamasit janë vrarë nga një sulm ajror izraelit në Rripin e Gazës të mërkurën.
Hamasi tha se në këtë sulm u vranë edhe katër nipër e mbesa të liderit të vet.
Djemtë e Ismail Haniyeh janë në mesin e figurave të profilit më të lartë që janë vrarë deri tani në këtë luftë.
Izraeli tha se djemtë e tij ishin operativë të Hamasit, ndërsa Haniyeh e akuzoi Izraelin se veproi “në frymën e hakmarrjes dhe vrasjes”.
Vrasja e tyre rrezikon të ndikojë në bisedimet e ndërmjetësuar nga ndërkombëtarët për armëpushim në Gazë, të cilat filluan të shënojnë përparim në ditët e fundit, pavarësisht se palët kanë goxha dallime në çështjet kryesore.
Po ashtu, ata u vranë në një kohë kur Izraeli po përballet me trysni të madhe – posaçërisht nga aleati i vet kryesor, SHBA – për ta ndryshuar mënyrën se si po e kryen luftën në Gazë, në veçanti kur bëhet fjalë për ndihmat humanitare për të cilat kanë aq shumë nevojë palestinezët./rel