Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Vuçeviq i reagon Kearns: Kisha po sulmohet nga ata që nuk e duan Serbinë mirë

Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviq, lidhur me akuzat e deputetes britanike Alicia Kearns se Kisha Ortodokse Serbe kontrabandon armë në Kosovë, ka thënë se Kisha Ortodokse ka kërkuar që këto pretendime të kontrollohen dhe se është i bindur se kjo është plotësisht e pavërtetë.

“Kisha kërkoi që këto akuza të kontrolloheshin dhe u sigurua që nuk kishte asnjë lidhje me të vërtetën. Kisha Ortodokse është pjesë e traditës së krishterë dhe sigurisht cak i sulmeve. Ajo ka qenë gjithmonë një shtyllë e grumbullimit të njerëzve. Kisha është shumë shpesh cak i sulmeve nga të gjithë ata që nuk e duan Serbinë e mirë. Shpesh do të dëgjosh lloj-lloj gjërash, nga akuzat se Kisha ndërhyn në çdo gjë, deri tek akuzat e errëta se është një celulë e veçantë e një organizate terroriste“, tha Vuçeviq për TV Pink.

Ministri i Mbrojtjes tutje ka shtuar se mbrëmë ka parë se janë shpallur edhe 24 emra shtesë në listën e gjoja të akuzuarve serbë, për arrestim në Kosovë.

Ndryshe, misioni i KFOR-it ka reaguar pas pretendimeve të Kearns se Serbia po kontrabandon armë në Kosovë përmes autoambulancave, të cilat më pas po shkarkohen në Kishat Ortodokse dhe se për këtë ishte në dijeni KFOR-i.

Në një reagim KFOR-i tha se nuk ka asnjë provë për t’i konfirmuar këto pretendime.

“Prezenca e supozuar e paligjshme e armëve u raportua në shtabin e KFOR-it, por pas hetimeve të mëtejshme për të gjetur konfirmimin e kësaj, nuk doli asnjë provë për atë që u raportua. Nuk ka asnjë dëshmi për kontrabandën e supozuar që ishte kryer përtej vijës kufitare administrative ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Kishën Ortodokse në ambulancë”, ka thënë KFOR-i.

KFOR-i po ashtu thekson se ky lloj aktiviteti i takon sundimit të ligjit, që është përgjegjësi e organizatave të sigurisë së Kosovës.