Avokati i njohur shqiptar Spartak Ngjela, ka lartësuar figurën e komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Adem Jashari, në 26 vjetorin e rënies së tij.
Duke folur edhe për këngën e Shkurte Fejzës “Mora fjalë”, që sipas tij, është shndërruar në himn heroik lufte, Ngjela ka thënë se e njëjta ia fut tmerrin dhe makthin armiqve të popullit shqiptar.
Sipas avokatit, ligësia e presidentit serb Aleksandar Vuçiç, është aq e madhe, kërkon të krijojë edhe ai një Adem Jashar serb që të ripushtojë sërish Kosovën.
Ngjela ka paralajmëruar se edhe Çamëria do ta nxjerrë Adem Jasharin e vet, përcjell Bota sot.
Reagimi i plotë i Ngjelës, në Facebook:
Në 7 Mars të këtij viti u mbushën plot 26 vjet nga rënia në luftë e heroit Adem Jashari.
Heroi i dashur i një populli që ka rënë në luftë për lirinë e tij i jep shpirt, frymë, jetë dhe magji kombëtare asaj shoqërie që është çliruar nga robëria e të huajit dhe hasmit të vet.
Një shembull të madh tani shqiptarët kanë Adem Jasharin.
Luftëtarin unik e të madh të Kosovës e të gjithë Shqipërisë e shqiptarëve kudo ku ata ndodhen.
Dhe është kënga e dashurisë kombëtare me titullin “Mora fjalë”, që tani është kthyer në një hymn kombëtar për trimërinë dhe lirinë e atdheut.
Kjo këngë është një himn heroik lufte që i ka plotësuar më tej shqiptarëve krenarinë kombëtare, por që i ka bërë edhe më të motivuar për historinë e tyre që tani ka rilindur nga një shtypje e gjatë e pushtuesëve shekullorë të trojeve shqiptare.
Mora fjalë
Mora fjalë e mora vargun
Mora çarkun
Me i thur kangë
Me i thur kangë bash legjendarit
Ti këndoj
Ti këndoj Adem Jasharit, t’i këndoj…
Kudo e këndojnë shqiptarët këtë këngë, e cila iu fut tmerrin dhe makthin armiqve të popullit shqiptar.
Aq e fuqishme është sa as ligësia e serbit Vuçiç nuk e përmbajti dot veten dhe kërkoi që edhe serbët të kenë një Adem Jashar. Komedi…
Adem Jashari ishte heroi që i dha jetë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe çlirimit të Kosovës nga Serbia, kurse Vuçiç kërkon të krijojë edhe ai një Adem Jashar serb që të ripushtojë sërish Kosovën.
E pra, tani kjo është një komedi që i bën të qeshin shqiptarët, por që tregon se politika aktuale serbe asgjë nuk ka kuptuar ende nga ajo që i ka imponuar forca shqiptare.
Asgjë nuk bën dot.
Vuçiçit gjithçka po i vjen nga marrëzia e humbjes. Dhe, humbja e tij dhe e Serbisë, në raport me shqiptarët, do të vijojë…
Por, a do ta nxjerrë edhe Çamëria Adem Jasharin e vet?
Unë jam i bindur se po… do ta nxjerrë!