Rundi i ri i bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë përfundoi pa ndonjë pajtim mes palëve.
Nga Bashkimi Evropian thanë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka qenë i gatshëm të ecë përpara, ndryshe nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili “e ka pranuar propozimin e tyre” për zbatimin e Marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili bashkë me të dërguarin e BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak, ndërmjetësuan takimin, tha se Kurti ka këmbëngulur që të formalizohet, fillimisht, njohja de facto e Kosovës nga Serbia.
Borrell, duke folur për gazetarët, tha se u ka ofruar palëve propozimin e BE-së që Marrëveshja bazë të zbatohet nga të dyja ato paralelisht.
Sipas tij, Kurti kërkoi zbatimin e aspekteve politike fillimisht, ndërsa Beogradi themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
“Kurti nuk ka qenë i gatshëm që të ecë përpara me fillimin e një procesi të besueshëm për themelimin e Asociacionit. Në vend të kësaj, ai ka insistuar që të formalizohet njohja de facto [e Kosovës] si hap i parë”, tha Borrell.
Asociacioni po vazhdon të jetë një ‘pikë kritike’ për bisedimet Kosovë-Serbi.
Bejta: Në këtë kaos politik unë i besoj dhe e mbështes Kurtin
E për këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli deputeti i Kuvendit nga Lista Guxo, Nasuf Bejta.
Nasuf Bejta
Fillimisht, tha se për momentin është një ‘mjegullë politike’ e cila i shkon në favor Serbisë, e kjo konfrimohet edhe nga deklaratat e përfaqësuesve evropianë.
“Kjo gjendje paraqet një mjegullë politike të cilën vetëm ujku (Serbia) e dëshiron. E si do të ishte ndryshe nëse analizon deklaratat e tre akterëve që kanë të bëjnë me dialogun Kosovë-Serbi.
Baronesha Eshton e tha shumë qartë se asociacioni është rezultat i bisedimeve të delegacioneve e jo as propozim e as imponim i BE”, deklaroi deputeti.
Po ashtu, Bejta përmendi nga një deklaratë të Thaçit dhe të Çitakut për çështjen e Asociacionit
“Ish presidenti përkatësisht ish kryeministri Thaçi në një intervistë kishte deklaruar se në Bruksel po tentohet të formohet një republika srpska që do të ishte kancer për Kosovēn.
Ish ambasadorja e tani nënkryetarja e PDK-ës znj Çitaku, në një pronocim të saj thekson se nuk ka kurrëfarë rreziku nga implementimi i asociacionit nga bisedimet e 2013 dhe 2015”, theksoi ai.
E bazuar në këtë, deputeti i “Listës Guxo” shprehi mëbshtetje të plotë ndaj Kurtit në gjithë këtë kaos politik.
Madje, ai kërkoi që i gjithë faktori politikë ta përkrah diskursin e Kurtit.
“Në këtë kaos politik unë i besoj dhe e mbështes z.Kurti, i cili në asnjë mënyrë nuk do të lejoj të paktën me pajtimin dhe nënshkrimin e tij që të formohet një mekanizëm destabilizues jo vetëm për Kosovën por edhe për rajonin. Dhe, për fund lidhur me këtë çështje, mirë e mbarë do të ishte që i tërë faktori politik të fliste me gjuhën e kryeministrit sepse ai këtë po e bënë për vendin, çka është dashur ta bënin shumë më herët të tjerët e me çka besoj se gjërat do të ishin më të qarta, por më mirë vonë se sa hiq thotë një thënie popullore”, përfundoi Nasuf Bejta për “Bota sot”.
Kurti, po ashtu, tha se kushtëzimi i Serbisë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe “është shndërruar në qëndrim të emisarëve të BE-së”.
Marrëveshja bazë është arritur në shkurt, por zbatimi i saj lë për të dëshiruar.
Kjo marrëveshje me 11 nene parasheh, mes tjerash, një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e mëhershme të dialogut.
Mulliqi: Nuk ka mundësi të arrihet paqja midis dy shteteve duke përdorur ‘shkopin’ ndaj Kosovës
E këtë presion që Borrell dhe Lajçak po ia bëjnë Kurtit për pranimin e Asociacionit, e komentoi edhe analisti politik,
Skënder Mulliqi
Së pari, u shpreh se marrë parasysh faktin se Vuçiq nuk po e pranon palnin frank-gjerman, ka qenë e qartë se nuk do të ketë përparim as në takimin e fundit të mbajtur ne Bruksel.
“Nuk është pritur as nga ky takim që të kemi avancim të procesit të dialogut. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq nuk po e pranon planin franko-gjerman, duke insistuar vazhdimisht që të implementohet Asociacioni me kompetenca ekzekutive, të cilin edhe kësaj radhe e përkrahen Borell dhe Lajçak. Një formë të tillë të Asociacionit natyrisht se e hodhi poshtë kryminstri i Kosovës, Albin Kurti. Ai kërkoi si çdo herë të pranohet plani franko-gjerman dhe Serbia ta pranon paraprakisht pavarësinë e Kosovës”, deklaroi analisti.
Po ashtu, Mulliqi tha se përfaqësuesit evropianë (Borrell dhe Lajçak) po mbajnë që anën e Serbisë me qëndrimet e tyre dhe presionet e ndëshkimet që po ia bëjnë Kosovës.
“BE edhe në takimin e fundit të Brukselit përmes Borrellit dhe Lajçakut, nuk e folën asnjë fjalë për heqjen e masave ndaj Kosovës. Është menduar se kësaj radhe do t’i bëhet presion Vuçiqit, por kjo jo që nuk ndodhi por Borrell sërish e fajësoi Kurtin pse nuk e ka pranuar implementimin de fakto e de jure të ndarjes së Kosovë mbi baza etnike. Qëndrimi proserb i ndërmjetësve ndërkombëtar është i pakuptueshëm kur dihet se trazirat në veri dhe mos pranimin e zgjedhjeve në këtë pjesë po e bën pala serbe përmes strukturave kriminale paralele serbe dhe Listës së Rakiqit”, nënvizoi ai.
Më tej, analisti tha se nuk do arrihet marrëveshje mës dy shteteve, derisa ta ndalohet kjo ‘përkëdhelje’ e Serbisë nga ana e ndërkombëtarëve dhe pala e Kosovës të trajtohet e barabartë.
“Nuk ka mundësi të arrihet paqja midis dy shteteve duke përdorur ‘shkopin’ ndaj palës sonë në bisedime e Serbia të përkëdhelet. Ky shtet me hipotekë të gjenicidit është duke e shfrytëzuar luftën në Ukrainë në synimin shovinist për ndarje të Kosovës. Mendoj se me këtë qasje ndaj dialogut nga ana e Borrellt dhe Lajçakut nuk do të kemi marrëveshje finale. Nëse faktori ndërkombëtar po dëshiron një autonomi të zgjeruar për minoritetin serb, atëherë po bie ndesh me parimet bazë të multietnicitetit që është pranuar edhe shtetësia e Kosovës. Pala jonë në bisedime në krye me Kurtin nuk është duke kerkuar asgjë, vetëm po e mbron Kosovën nga ndarja mbi bazat etnike”, shpjegoi Mulliqi.
Në fund, kërkoi që të gjithë ta mbështesin Kurtin, përfshirë edhe opozita, e cila po kundërshton në vazhdimësi qeverinë.
Kjo pasi, sipas tij, po bëhet fjalë për ekzistencën e Kosovës.
“Duhet të gjithë, madje edhe opozita e cila nuk po tregohet konstruktive, të bashkëpunon dhe ta përkrahë Kurtin, pasi në pyetje është fati i ekzistencës së Kosovës si shtet. Duket se Evropa nuk po i lë sherret e vjetra ndaj shqiptarëve në tokat e tyre etnike. Mjaftë është punuar në dëm të çështjes shqiptare. Ka ardhur koha që të gjitha këtyre qëllimeve jo parimore t’iu ndalet ‘turri’. Nëse Kosova nuk trajtohet palë e barabarteë në bisedime, mendoj se vazhdimi i bisedimeve është absurditet i kohës. Serbia ishte dhe ka mbetë shtet i pareformuar me apetite gllabëruse ndaj tokave shqiptare. Është zgjeruar katër herë gjatë historisë në kurriz të shqiptarëve. Ajo na ka shumë borgje që të lejojmë sërish të grabiten tokat tona”, përmbylli Skënder Mulliqi për “Bota sot”.