
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ditë më parë tha do të tentojnë ta rikthejnë përsëri kompleksin Rajska Banja në Zveçan, të cilin Policia e Kosovës e kishte mbyllur gjatë vitit 2023. Mirëpo nga AKP thanë për televizionin se ky kompleks tashmë i takon Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Ka mbi dy vite që gjithçka monitorohet dhe menaxhohet nga Policia e Kosovës.
Ky është kompleksi Rajska Banja në Banjskë të Zveçanit i cili u mor nën kontroll në dhjetor të vitit 2023 nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, pasi e tëra ishte ndërtuar me buxhet të Serbisë.
Por, para disa ditësh presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq i cili mori pjesë në një panair të turizmit në Beograd, ironizuan për këtë kompleks bashkë me drejtorin e të ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në Serbi, Petar Petkoviq.
“Petar, kur do të fillojë të funksionojë Rajska Banja?”, tha Vuçiq.
“Ajo tani është konfiskuar. Ata na rrëmbyen gjithçka por ne do të luftojmë”, tha Petkoviq.
Vuçiq pretendon se do t’a kthejë sërish këtë kompleks.
“Unë nuk pyeta rastësisht për Rajska Banjën, ata rrëmbyen gjithçka, por ajo do të ekzistojë dhe ne do ta kthejmë” tha presidenti serb.
Për këtë objekt, kujdeset vazhdimisht Policia e Kosovës.
Në një përgjigje për Tëvë1, Agjencia Kosovare e Privatizimit tha se të gjitha asestet vazhdojnë t’i takojnë Ministrisë së Punëve të Brendshme.
“Ministria e Punëve të Brendshme, më datë 26 tetor 2023 ka bërë kërkesë për marrje me qira të asetit – motelit të vjetër të Banjskës mbi parcelën nr. 03105-0, e cila është aprovuar nga Bordi i Drejtorëve i AKP-së. AKP, pasi ka bërë verifikimet e nevojshme, ka bërë kërkesë për asistencë të Policisë për të ofruar ndihmën e nevojshme në lirimin e aseteve nga shfrytëzuesit e paligjshëm të cilët i përdornin asetet pa kontratë të qirasë dhe pa marrëveshje me AKP”, thuhet nga APK.
Para se merrej nën kontroll nga shteti i Kosovës, në këtë banjë Serbia organizonte takime me strukturat paralele serbe ku merrte pjesë edhe ish-kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq.