Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Vuçiq me Dodik bisedojnë për rezolutën për Srebrenicën dhe për “mbrojtjen e interesave kombëtare”

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takua të premten në Beograd me Millorad Dodikun, presidentin nacionalist të entitetit serb të Bosnjë e Hercegovinës, Republika Sërpska.

Ndër temat kryesore për të cilat biseduan ata ishte edhe një rezolutë për Srebrenicën, e cila pritet të dalë në votim në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara këtë muaj.

“Tema kyçe e bisedës ishin marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Republikës Sërpska, si dhe reagimi i mbarë popullit serb për miratimin e rezolutës për Srebrenicën”, shkroi Vuçiq në rrjetin social Instagram.

Vuçiq tregoi gjithashtu se e ka njoftuar Dodikun “për përpjekjet që Republika e Serbisë po bën për t’i mbrojtur interesat jetike dhe kombëtare të popullit serb, si dhe të drejtën publike ndërkombëtare”.

Vuçiq përsëriti se miratimi i një rezolute të tillë “do të thotë hapje e kutisë së Pandorës për të ardhmen, duke hapur plagë të panumërta nga e kaluara”.

“Presidenti Dodik më informoi për bisedimet që pati në Budapest me kryeministrin hungarez, Viktor Orban, dhe perspektivat e mëtejshme për zhvillimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Sërpskas”, thuhet në njoftim.

Ai shtoi se Dodiku e paralajmëroi se miratimi i një rezolute për gjenocidin në Srebrenicë do të kishte “pasoja katastrofike për marrëdhëniet brenda Bosnje e Hercegovinës”.

Një propozim-rezolutë, e iniciuar nga Gjermania dhe Ruanda, kërkon që 11 korriku të njihet globalisht si Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë, dhe pritet të dalë në votim para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në muajin maj.

Propozim-rezoluta, mes tjerash, bën thirrje edhe për “dënimin pa rezerva të çdo mohimi të gjenocidit në Srebrenicë, si dhe të veprimeve që i madhërojnë të dënuarit për krime lufte, përfshirë edhe ata që janë përgjegjës për gjenocidin”.

Udhëheqësit e tyre mohojnë se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid, pavarësisht faktit se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka njohur si akt të tillë vrasjen e mbi 8.000 burrave dhe djemve myslimanë nga forcat serbe të Bosnjës në korrik të vitit 1995.

Deri më tash, më shumë se 50 individë janë të dënuar me rreth 700 vjet burgim për rolet e tyre në gjenocidin e Srebrenicës./REL