Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Vuçiq nderon Grenellin, e quan mik të Serbisë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ia ka dorëzuar ish-emisarit të SHBA-së  për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, Urdhrin e flamurit serb, për “shërbime të dalluara në zhvillimin dhe forcimin e bashkëpunimit paqësor dhe të marrëdhënieve mes Serbisë dhe SHBA-së”.

Kjo për shkak se Grenell u nderua si “mik i Serbisë”, e që sipas Vuçiqit këtë e përcakton “objektiviteti dhe ndershmëria intelektuale e politike”.

“Përfshirja e tij e jashtëzakonshme në Ballkan është dëshmi e besimit të tij në të ardhmen e rajonit. Bisedat me të nuk ishin gjithmonë të lehta, por ambasadori Grenell kurrë nuk i kërcënoi apo ndëshkoi ata që nuk pranuan të binden, i dha përparësi ekonomisë mbi policinë dhe e kuptoi që kur t’i zgjidhim problemet ekonomike, do të zgjidhim edhe disa nga ato politike. Faleminderit për përpjekjet tuaja të jashtëzakonshme për të përmirësuar marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe SHBA-së”, i tha presidenti serb ish-përfaqësuesit të Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, raportojnë mediat në Beograd.

Në anën tjetër Grenell tha “Jam i nderuar, pasi besoj se jam personi i vetëm që kam marrë çmime edhe nga Kosova edhe nga Serbia”.

Tutje ai tha se e do “Serbinë e popullin e saj, por edhe Kosovën dhe popullin e saj, derisa shtoi se ‘dëshiron që Serbia ta ketë një partner si Hashim Thaçi”.

Madje ai theksoi se “tani presioni duhet të jetë mbi Kurtin, që të zbatojë atë që Thaçi ka premtuar”.