Si duket, Perëndimi nuk e ka ndërmend të marrë masa ndëshkuese ndaj Serbisë, pas aktit terrorist të 24 shtatorit.
E kjo gjë, duket se mund t’i jap krahë bandave kriminale serbe dhe regjimit të Beogradit për sulme dhe plane të reja kundër Kosovës.
Avokati serb, Cedomir Stojkoviq në një bashkëbisedim me “Bota sot” paralajmëroi se regjimi i presidenti serb nuk do ndalet vetëm me sulmin terrorist në Banjskë.
Ai tha se planet kundër Kosovës mund të ndalen vetëm kur Vuçiq të deklarojë publikisht se Kosovën e sheh si shtet mik e jo si shtet që dëshiron ta copëtoj.
“Jam i bindur se regjimi i Aleksandër Vuçiqit nuk do të ndalet me kaq. Tani ai do të qetësohet vetëm pak dhe do të kërkojë përsëri mundësinë e tij në të ardhmen për të bërë saktësisht të njëjtën gjë. Gjëra të tilla ndalojnë vetëm kur qendrat e pushtetit të vendit të caktuar të ndryshojnë politikat dhe narrativat e tyre dhe kur Aleksandar Vuçiq të fillojë të thotë se Kosova është vend mik, do të jetë sinjal se gjërat do të ndryshojnë dhe se Serbia ka hequr dorë nga konflikti i armatosur. Kjo duhet ditur, njohja e një shteti do të thotë që shteti që e njeh heq dorë nga e drejta për të dërguar forcat e tij të armatosura në atë territor. Milan Radoiçiq është anëtar i Agjencisë së Informacionit të Sigurisë të Serbisë (BIA), dhe në Serbi vetëm anëtari i saj mund të ketë miliona euro, tonelata armë dhe të kalojë kufirin e Serbisë pa pengesa në një kolonë xhipash”, deklaroi avokati serb.
Avokati serb, Cedomir Stojkoviq
Stojkoviq vlerëson se sanskionet ndaj Serbisë e Vuçiqit janë të nevojshme për qytetarët serbë, pasi në këtë mënyrë do mund t’iu lehtësohet rruga për të ndryshuar regjimin antievropian.
“Sanksionet kundër Serbisë u nevojiten para së gjithash qytetarëve të Serbisë për të gjetur tek ata forcën dhe vullnetin për të ndryshuar regjimin antievropian në Beograd. Sanksionet ndaj Serbisë nuk do ta ndihmojnë Kosovën. Kosova do të ndihmohet nga Serbia që ta njohë pavarësinë e Kosovës. Veprimi i drejtë i bashkësisë ndërkombëtare do të ishte ai që do të mbështeste zhvillimin dhe rritjen e një opozite të tillë evropiane në Serbi, e cila do të arrijë paqen në rajon përmes njohjes së pavarësisë së Kosovës përmes luftës shumëvjeçare për transformimin e shoqërisë në Serbi”, nënvizoi ai.
Ndër të tjera, avokati serb kritikoi sjelljen e butë të Perëndimit ndaj Serbisë.
Sipas tij, Vuçiqi po i mashtron diplomatët e sotëm, pasi janë të dobët.
“Fakti që Perëndimi tani është i butë me Serbinë ka të bëjë me fjalën e urtë të vjetër se kohët e këqija i bëjnë njerëzit e fortë, njerëzit e fortë bëjnë kohë të mira dhe kohët e mira bëjnë njerëzit e dobët. Udhëheqësit dhe diplomatët perëndimorë në vitet 1990 ishin njerëz të fortë, ata krijuan kohë të mira gjeopolitike për Evropën, ShBA-në dhe gjithë Perëndimin. Në kohët e mira gjeopolitike pas tyre, u shfaqën liderë të dobët dhe diplomatë të dobët. Mirëpo Vuçiq ka lindur në vitet e nëntëdhjeta dhe për këtë ia del lehtësisht të mashtrojë dhe gënjejë këta diplomatë të dobët. Të fortët e viteve nëntëdhjetë, nuk mundi”, përfundoi Cedomir Stojkoviq për “Bota sot”.