Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq deklaroi sot se biseda me përfaqësuesin special të BE-së për dialogun Miroslav Lajçak, ka qenë e vështirë për Kosovën.
“Vështirë, për gjithçka, me të vërtetë e vështirë. Situata po bëhet gjithnjë e më e ndërlikuar. Gjithmonë kam nevojë për një ose dy ditë për të menduar se çfarë do të thosha dhe çfarë mund të bëjmë,” tha Vuçiq në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve gjatë një turneu në Panairin e Biznesit në Mostar.
Ndryshe, emisari Lajçak ka theksuar se në takim kanë biseduar mbi procesin e dialogut dhe takimin e ardhshëm që do të kenë kryenegociatorët.
“Në Mostar fola edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për hapat e ardhshëm në dialog dhe për takimin e ardhshëm të kryenegociatorëve, si dhe zhvillimet rajonale. Theksova nevojën për progres urgjent në zbatimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit”, tha ai.