
Emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak dhe emisari i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar janë pritur në takim nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.
Gjendja aktuale në veri, mënyrat për uljen e tensioneve në terren, zbatimi i marrëveshjeve të arritura deri më tani dhe mundësitë për përparimin në dialog ishin tema diskutimi, ka njoftuar Presidenca e Serbisë.
“Vuçiq ritheksoi përkushtimin e plotë të Republikës së Serbisë për procesin e dialogut me Prishtinën, për arritjen e kompromisit dhe zgjidhjeve të qëndrueshme në favor të një jete më të mirë dhe marrëdhënieve ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, dhe nënvizoi sigurinë e popullit tonë në Kosovë dhe Metohi si një kërkesë kyçe”, thuhet në deklaratë, shkruan tanjug.