Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka përgenjështruar deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se ka kërkuar që të vijë në Kosovë për vizitë.
Këshilltari për Media në këtë Ministri, Leutrim Sahiti, ka konfirmuar se nuk kanë pranuar asnjë kërkesë nga autoritet në Beograd për vizitë të Vuçiqit.
“Ju konfirmojmë që deri më tani MPJD-ja, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi nuk ka pranuar asnjë kërkesë për vizitë në Republikën e Kosovës nga përfaqësuesit e autoriteteve nga Beogradi, respektivisht z. Vuçiq”, tha ai.
Ditë më parë, Vuçiq, duke komentuar ndalesën që ia bënë ministrit Xhelal Sveçla, në Luginë të Preshevës, tha se ka kërkuar që të vijë në Kosovë për t’iu “drejtuar popullit”.
“E pashë se thonë që Xhelal Sveçlës t’i lejohet vizita në territorin e Serbisë qendrore në përputhje me marrëveshjet e nënshkruara në kohën e Borko Stefanoviqit dhe të konfirmuara më vonë. Nuk shoh shumë rrezik në këtë, edhe pse sigurisht që ai do të vinte të provokonte. Kam kërkuar edhe të shkoj në Kosovë dhe t’i drejtohem popullit. Do të ishte mirë që të respektohen marrëveshjet dhe të flasim me njerëzit në tokën e shenjtë serbe”, kishte thënë Vuçiq për mediat serbe.
Sveçla kishte thënë se vizita iu refuzua pa asnjë shpjegim, derisa kishte paralajmëruar edhe reciprocitet sa i përket vizitave të zyrtarëve shtetërorë.
Hera e fundit kur Vuçiqi vizitoi Kosovën ishte në vitin 2018.
Vuçiq edhe më herët kishte paralajmëruar për vizitë në Kosovë. Pas takimeve që kishin pasë në Bruksel në kuadër të dialogut, Vuçiq iu kishte thënë gazetarëve se do të vinte në Graçanicë dhe Prishtinë. Kur u pyet nëse do të marrë leje nga kryeministri Kurti, Vuçiq tha se për të hyrë në Kosovë e pyet popullin serb dhe jo kryeministrin Kurti.