Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Vuçiq thotë se nuk ka përparim për çështjen e dinarit në Kosovë

 
   

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë sot se i ka njoftuar anëtarët e kryesisë së partisë së tij se nuk ka përparim në bisedimet ndërmjet të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, dhe politikanëve të Prishtinës lidhur me përdorimin e  dinarëve në Kosovë.

“Do të kërkojmë zgjidhje deri në momentin e fundit”, tha Vuçiq pas mbledhjes së Kryesisë së Partisë Progresive Serbe (SNS) dhe theksoi se “prioritet është të ndihmojmë njerëzit në Kosovë që janë në gjendje të vështirë”.

Siç raporton portali serb N1, Vuçiq ka thënë se ka marrë mbështetjen e partisë për formimin e një lëvizjeje të gjerë, e cila nuk është bërë për zgjedhje, por për të ndihmuar vendin në kushtet më të vështira, sepse Serbia dhe bota gjenden para “kohëve më të vështira deri më tani”.

Rregullorja e BQK-së dhe çështja e përdorimit të dinarit serb në Kosovë ishte njëra nga temat për të cilat biseduan kryenegociatori i Kosovës në dialogu Kosovë-Serbi, Besnik Bislimi dhe emisari i BE-së në dialog. Miroslav Lajçak të hënën në Prishtinë.

Lajçak tha se në takim kanë diskutuar për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve.

“Diskutuam se si të vazhdojmë zbatimin e marrëveshjes për normalizim, gjithashtu është më rendësi të them se diskutuam për çështjen e pagesës (çështja e dinarit), që është pjesë relevante e dialogut”, tha ai.

“Duhet të jemi të sigurt që në fund qytetarët të mos ndikohen negativisht nga një vendim i tillë. Lidhur me ketë, kam të hapur mundësitë për të dyja palët të bisedojnë. I kam lënë delegacionet që të dërgojnë të përzgjedhurit e tyre, ku Kosova kishte dërguar guvernatorin e BQK-së”, ka deklaruar Lajçak të hënën.