Sulmi terrorist i 24 shtatorit në veri të Kosovës përbën një ndër ngjarjet më të rënda që ndodhën në vitin 2023.
Organizator i këtij sulmi, Milan Radojçiq, vazhdon të jetë i lirë, ndërsa sulme të reja nga ai paralajmërohen gjatë vitit 2024.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Millan Radoiçiq, po përgatit sulme të reja ndaj Kosovës.
Ai këto komente i bëri gjatë një konference për media në fund të vitit 2023 së bashku me ministrin e tij të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Kurti, pa dhënë dëshmi, tha se sulmet e reja po përgatiten nga pjesëtarët e grupit që kryen sulmin në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.
Sipas Kurtit, Radoiçiq mban takime të rregullta me inteligjencën serbe dhe se pjesëtarët e grupit të tij, paguhen 2.000 euro në muaj, ndërkaq bashkëshortet e tyre, që gjenden në Kosovë, po punësohen, në mënyrë, që sipas tij, të mos ketë pakënaqësi.
Ai përmendi disa lokacione në Serbi, përfshirë poligone ushtarake, ku pretendoi se po stërviten pjesëtarët e grupit të Radoiçiqit.
Kurti tha se kumtimi i urdhrit për sulmin në Banjskë, ishte dhënë në ambientet e kompanisë Novi Pazar Put, në pronësi të Zvonko dhe Zharko Vesellinoviq, që kanë qenë partnerë biznesi të Radoiqit.
“Pas sulmit terrorist, Millan Radoiçiq u lirua nga gjykata serbe në kohë rekorde. Ai tash po vazhdon përgatitjet për sulme tjera në Kosovë, bashkë disa pjesëtarë të organizatës terroriste ‘Mbrojtja Civile’. Radoiçiq është duke mbajtur takime të rregullta me zyrtarë të lartë të BIA-s. Ambientet e firmës, Jabllanovica në Rashkë, si ato të Novi Pazar Put, po përdoren për strehimin dhe ruajtjen e automjeteve dhe mjeteve eksplozive për sulmet e ardhshme nga Radoiçiq dhe grupi i tij. Realisht, në këtë ndërtesë strehohen disa anëtarë të ‘Mbrojtjes Civile’, që kryejnë vëzhgime në territorin e Kosovës”, u shpreh Kurti.
Sipas tij, automjetet dhe armët e përdorura në Banjskë, janë dërguar në kompaninë Novi Pazar Put.
Kurti pretendoi se një grup prej 80 personash që janë larguar nga Kosova po vazhdojnë ushtrimet në poligonin Zimovnik, afër Rashkës, dhe se stërvitjet po drejtohen nga ushtarakët serbë në pension.
Po ashtu, ai përmendi edhe poligonin e ushtrisë serbe në Peshter, ku sipas tij, kanë rinisur ushtrimet e një grupi prej 60 personash të “Mbrojtjes Civile”, që Kurti tha se kanë marrë pjesë në sulmin në Banjskë.
“Ky grup kishte planifikuar sulme ndaj Policisë tonë pas përfundimit të zgjedhjeve në Serbi në lokacionet kufitare që lidhen me rrugët ilegale alternative”, ka thënë Kurti, duke thënë se ky grup përbëhet prej njerëzve të besueshëm të Radoiçiqit.
“Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” në Kosovë cilësohen organizata terroriste dhe autoritetet kanë thënë se ato veprojnë në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
Kurti po ashtu përmendi një plan për një sulm në nëntor për, siç tha, rimarrjen e vilës së Radoiçiqit afër Liqenit të Ujmanit, që autoritetet kosovare sekuestruan pas sulmit të 24 shtatorit.
Ekspertët e sigurisë thonë se shqetësimi i Kurtit për sulme të reja nga Serbia është pjesë e informacioneve nga shërbimet e inteligjencës amerikan dhe bashkëpunim me intelegjencën e Kosovës.
Fatjon Softa, ekspert sigurie, thotë se Vuçiq ndjehet i shqetësuar nga lëvizjet e ushtarëve të KFOR-it pas sulmit të 24 shtatorit.
Fatjon Softa
Sipas tij, Vuçiq është i rrezikshëm, vegël e Serbisë dhe po përjeton një turbulencë të tij.
“Deklarata e Albin Kurti në një konferencë për media të shtunën se kryekrimineli Milan Radojiçiç po mban takime me shërbimin sekret serb dhe se po fsheh anëtar të organizatave terroriste duke planifikuar sulme të tjera në Kosovë, pas atij të 24 shtatorit. SHBA shton prezencën, dërgon edhe 400 ushtarë në Kosovë! ushtarë shtesë të cilët do t’i bashkohen misionit paqeruajtës të KFOR-it. Ushtarët nga Garda Kombëtare pritet të vijnë së shpejti dhe ky është mobilizimi më i madh i Gardës së Ioëas në mbështetje të KFOR-it që prej vitit 2004 kur ishin vendosur njësitë e para në Kosovë. Shqetësimi i Kurtit për sulme të reja nga Serbia, është pjesë e informacioneve nga shërbimet e inteligjencës amerikane dhe bashkëpunim me inteligjencën e Kosovës. Vuçiq ndjehet i shqetësuar nga këto lëvizje dhe këtë e shpreh në deklaratat në fjalimet e tij me qytetarët e Serbisë. Ai ka thënë se këtë rritje të prezencës ushtarake e sheh si një sinjal që s’duhet të ëndërrojmë që te respektojmë “Kartën e OKB-së dhe as Rezolutën 1244”. Dhe se e vetmja e kujt duhet respektuar – vendimi i forcës. E kuptuam mesazhin. E drejta ndërkombëtare është shkelur prej kohësh, ekziston vetëm ligji i forcës. Vuçiq është i rrezikshëm, vegël e Serbisë dhe po përjeton një turbulencë të tij”, pohon Softa.
Planet e Serbisë kanë ndryshuar për shkak të zgjedhjeve në Serbi, u shpreh Kurti pos tjerash, duke shtuar se ato janë të destinuara që të dështojnë.
Ai ka thënë se Kosova, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, është e përgatitur që të zmbrapsë sulme të tilla.
Në anën tjetër, eksperti Softa thotë se Shqipëria do të dërgojë trupa shtesë në Kosovë, gjersa shton se se në vitin 2024 priten fronte të reja konfliktesh.
“Kjo situatë është shqetësuese, humbjet e Rusisë në Ukrainë, kosto e luftës, gjendja e luftës e Izraelit ne Gaza, janë situata favorizuese për të hapur konflikte të reja. Irani, dhe disa fuqi satelite dhe aleate të Rusisë, janë në përgatitje për një front të ri. Gjendja e protestave në Beograd dhe disa ndërkombëtar që po shprehin shqetësim për rezultatin e votimeve me manipulime, mund ta përkeqësojë gjendjen e tij. Shqipëria do të dërgojë trupa shtesë në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë duke e çuar ne 100 numrin e trupave dhe kjo prezencë nuk do të shihet mirë nga Serbia. Rreziku që gjatë vitit 2024 të kemi fronte të reja konfliktesh, sipas mediave të huaja, Kosova është një zone me rrezik, Taiwani, Nigeria, dhe Sudan. Zhvillime të reja do të ketë në raportet Kosovë- Serbi, mendoj që do të jetë një vit i vështirë, evropianët janë në zgjedhje për eurodeputetët, SHBA në një fushatë presidenciale, këtë situatë mundet të shfrytëzojnë armiqtë e Kosovës që mund të nxisin provokime”, përfundon Softa.