Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar se të martën në Athinë do të ketë takim “në katër sy” me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ku do të bisedojë rreth çështjes së Kosovës.
Vuçiq ka thënë se “shpreson të ketë bisedë të mirë dhe se Ukraina ta përkrahë integritetin territorial të Serbisë”.
“Nesër në mëngjes, me kërkesë të presidentit ukrainas, do ta kem një takim me të, do të bisedojmë në katër sy për gjithçka që ka ndodhur rreth Kosovës. Nuk është situatë e lehtë për ne, por çfarë të bëjmë. Nuk është hera ime e parë. Është detyra jonë të luftojmë për Serbinë, të luftojmë për të ardhmen e saj evropiane, por edhe të mos heqim dorë nga interesat tona”, ka thënë Vuçiq, transmeton “B92”. “Ne respektojmë integritetin territorial të Ukrainës dhe shpresoj që Ukraina do ta respektojë integritetin territorial të Serbisë. Shpresoj të kem një bisedë të mirë me Zelenskyn, do të kem shumë takime, por ky do të jetë sigurisht më i rëndësishmi”.
Vuçiq e ka quajtur të çuditshëm formatin e sotëm në Athinë, ku ndër tjera janë ftuar kryeministrat e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor për një darkë nga kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis.
“Një format i çuditshëm në Athinë, por kjo është një pyetje për nikoqirin. Jemi ftuar, pesë vendet e Ballkanit Perëndimor, por si kush…E ftuar është edhe Prishtina, edhe pse Greqia nuk e njeh Kosovën e pavarur”, ka thënë Vuçiq.
Vuçiq ka treguar se sot është takuar edhe me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
“Biseduam gjithashtu për të gjitha çështjet e rëndësishme politika, nga dialogu Beograd – Prishtinë. Së shpejti e pres sërish në Beograd, Miroslav Lajçakun. Ne gjithashtu biseduam për tema tjera, marrëdhëniet me Rusinë. Kemi pasur bisedë shumë korrekte me Ursulën”, ka shkruar Vuçiq.