Marc Weller, profesor i shquar i jurisprudencën në Kembrixh të Anglisë, ka shkruar një artikull të gjatë të publikuar, ku ka komentuar deklarimet e fundit të Aleksandar Vuçiqit, president i Serbisë, në Këshill të Sigurimit të Kombëve të Bashkuara.
Sipas profesorit Weller, që ishte pjesë e delegacionit të Kosovës në Ohër vitin e kaluar, Serbia po përgatitet të destabilizojë veriun e Kosovës.
Tutje, profesori Weller ka shkruar se tash Serbia ka ndryshuar kahun në formë dramatike.
“Që nga java e shkuar, raportet mes Kosovës dhe Serbisë kanë shënuar një kthesë të re. Mbi një dekadë është nënkuptuar se shtetësia e Kosovës është e qëndrueshme dhe e padiskutueshme. Është e vërtetë se Beogradi mbronte qëndrimin se nuk e kishte pranuar ekzistencën e Kosovës si shtet sovran. Por e kishte kufizuar fushatën e tij kundër Kosovës te nismat diplomatike. Tash Serbia e ka ndërruar kahun në formë mjaft dramatike. Pas, në dukje, përfshirjes së saj në incidentin serioz të sigurisë në veriun e Kosovës në shtatorin e vjetëm, tash me agresivitet e vë në pyetje ekzistimin e Kosovës shtet duke aluduar te përdorimi i forcës për ta riintegruar territorin.” – shkroi ai.
Profesori i shquar i Kembrixhit komentoi gjuhën e Vuçiqit përkitazi me “dëmet e pariparueshme të mbijetesës” serbëve.
“Kryetari Vuçiq shtoi se kjo situatë, po qe se do të vazhdonte, do të krijonte “dëme të pariparueshme për mbijetesën e popullit serb në Kosovë e Metohi”. Kjo është referencë që i bëhet procedurës para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në kërkim të masave kalimtare të mbrojtjes në raport me pretendimet për gjenocidin kundër Federatës Ruse në Ukrainë, Mianmarit në raport me popullatën Rohinga dhe ndaj Izraelit në raport me Gazën. Argumenti është se nëse Këshilli i Sigurimit nuk vepron me vendosmëri për t’i ndalur krimet e pretenduara kundër serbëve etnikë në Kosovë, të tjerët do të detyrohen të veprojnë për ta parandaluar dëmin e pariparueshëm. Kjo do të mund të përfshinte përdorimin e forcës për shpëtimin e popullatës së rrezikuar nga shkatërrimi i pashmangshëm, apo edhe nga gjenocidi. Kjo do t’i mundësonte Serbisë që të thotë më vonë se i dha një shans të fundit KS të OKB-së që të ndërmarrë veprime. Mungesa e masave pa hamendje nga KS i OKB-së do ta bënte ndërhyrjen nga Serbia të pashmangshme.” – shkroi ai.
Weller ka nënvizuar se prania e NATO-s ka për qëllim të parandojë një pushtim ushtarak të veriut apo të krejt Kosovë.
“Megjithatë, këto janë kërcënime serioze dhe janë kërcënime që bëhen në nivelin më të lartë të diplomacisë ndërkombëtare. Ato në mënyrë të qartë e shënojnë një fazë të re të politikës së Serbisë karshi Kosovës dhe me gjasë në raport me Perëndimin në përgjithësi. Për më tepër, përtej sulmeve të zhurmshme verbale, Beogradi duket se po i rinis përpjekjet e tij për ta destabilizuar veriun me veprime të drejtpërdrejta. E gjithë kjo duhet të ketë implikime te sjellja e Kosovës.” – shkroi ai.
Tutje, Weller ka shkruar gjatë edhe për vetëizolimin e Kosovës, duke shkruar se Kosova, për shkak të politikës kundrejt veriut, u “jo vetëm që u ballafaqua me kritikën dhe dënimin ndërkombëtar, por edhe me sanksione në formën e “masave” të BE-së”.
Në shkrimin e tij, profesori Weller përmend faktin që Kosova kishte pak përkrahje nga aleatët në Këshillin e Sigurimit javën e kaluar.
“Por pas javës së shkuar duhet të jetë tashmë e qartë se Kosova nuk mundet, vetëm, të garantojë sigurinë në një ambient më të ashpër rajonal apo ta mbajë a forcojë pozitën e vet ndërkombëtare pa përkrahjen e aleatëve të rëndësishëm. Përderisa Kosova ka dëshmuar ta ketë fuqinë për t’i përballuar presionet e miqve e të armiqve në dy vjetët e fundit, megjithatë loja po ndryshon. Kosova nuk do të jetë e aftë të mbështetet vetëm mbi forcat e veta në këtë lojë të re e më të ashpër.” – shkruan Ëeller, në artikullin e tij në Koha, i cili ka renditur pesë pika të një strategjie të Kosovës, e cila përfshin rindërtimin e marrëdhënieve me aleatët e saj.