Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Xhaferi: Kemi tetë gra në gradën kolonel, para një dekade numri ishte zero

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ka thënë se janë fuqimisht të përkushtuar në zbatimin e agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë dhe mbështesin zbatimin e kësaj politike.

Në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, Xhaferi potencoi se po punojnë vazhdimisht për të drejtat dhe gjithëpërfshirjen e grave, për çka përmendi se kanë emëruar tetë gra në gradën kolonelë, numër ky që para një dekade sipas tij ishte zero.

“Në Republikën e Maqedonisë së Veriut jemi fuqimisht të përkushtuar në zbatimin e agjendës gratë, paqja dhe siguria. Ne mbështesim zbatimin e kësaj politike… Legjislacioni është pjesë jashtëzakonisht e rëndësishme e këtij procesi sepse siguron kornizën në të cilën sigurohet përfaqësimi. I tillë është edhe plani i dytë nacional i aksionit të Republikës së Maqedonisë së Veriut për implementimin e Rezolutës 1325, të miratuar në vitin 2020 si plan strategjik 5 vjeçar për arritjen e barazisë së vërtetë gjinore, integrimit dhe transparencës në nivel nacional”, tha Xhaferi.

Xhaferi tha se agjenda për Gratë, Paqen dhe Sigurinë ishte një nga prioritetet gjatë kryesimit të tyre me OSBE-në gjatë vitit të kaluar, për çka tregoi se organizuan disa ngjarje lidhur me këtë temë.

Ai tha se pavarësisht që janë në një rrugë të shkëlqyer në zbatimin e kësaj agjende, ka shumë punë për tu bërë.

Xhaferi potencoi se lufta në Ukrainë është një përkujtues i domosdoshmërisë së përfshirjes së grave në fushat e parandalimit të konflikteve dhe përpjekjeve për të ndërtuar paqen, stabilitetin dhe sigurinë.

“Kemi tetë gra në gradën kolonel që është numër që deri para një dekade ishte zero apo një e tillë. Agjenda për Gra, Paqe dhe Siguri ishte gjithashtu një nga prioritet gjatë kryesimit tonë me OSBE-në në vitin e kaluar. Për të afirmuar këtë politikë ne organizuam disa ngjarje në nivelin më të lartë me këtë temë. Me këtë dua të potencoi se jemi në një rrugë të shkëlqyer edhe pse kemi akoma shumë për të ecur në këtë rrugë. Trajektorja e lëvizjes është përcaktuar dhe zotimi im ishte dhe do të mbetet të qëndrojmë në të njëjtën vijë”, tha Xhaferi./

Tags: