Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Xhemali Zhurin i dënuar me gjobë për aksidentin në Prizren i ka 9 mijë euro tiketa të papaguara, dyshohet edhe për aksidente të tjera

 
   

I riu që shkaktoi aksidentin në dhjetor të vitit të kaluar, në rrugën ‘Zahir Pajaziti’ në Prizren, ku goditi një këmbësor – pamje këto të frikshme që më pas u publikuan, ka shpëtuar pa kaluar asnjë ditë në burg.

Gjykata e shpalli fajtor Xhemali Zhurin dhe e dënoi me 6 muaj burgim, por trupi gjykues vendosi ta pranojë kërkesën e avokatit dhe si rezultat dënimi me burg u zëvendësua me 1 mijë e 600 euro gjobë.

Edhe pse shprehu keqardhje në Gjykatë dhe kërkoi falje, duke deklaruar se aksidenti kishte ndodhur për shkak të pakujdesisë dhe pa dashje, Zhuri del të jetë shofer problematik.

I gjobitur dhjetëra herë për shkelje të rregullave të komunikacionit, 22-vjeçari ka edhe të kaluar kriminale.

Xhemali Zhuri ka hiç më pak se rreth 70 tiketa për rastet në të cilat është dënuar nga Policia e Trafikut, 65 prej të cilave as nuk i paguar.

Gjobat e shqiptuara ndaj tij për shkeljet e vazhdueshme, për të cilat nuk e ka kryer pagesën e kapin vlerën e rreth 9 mijë eurove.

Të njëjtat burime kanë bërë me dije se Zhuri ka mbetur edhe pa patentë shofer, që i është sekuestruar nga Policia edhe për 7 vjet të tjera, deri në vitin 2031.

Zhuri dyshohet po ashtu edhe për 3 aksidente të tjera që dyshohet se i ka kryer si rezultat i mosrespektimit të rregullave të trafikut.

Emri i Xhemali Zhurit është i njohur për Policinë edhe për vepra të tjera penale, përveç atyre kundërvajtëse.

Sinjali merr vesh, në dosjen e Policisë, emri i tij përmendet edhe për vepra si “Lëndim i lehtë trupor” e “‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’.